Futboll

Pa Asanin dhe me Malën pezull, si ndryshojnë kampionët me Sormanin

Adolfo Sormani ka marrë drejtimin e Partizanit pas largimit të Franko Lerdës. Trajneri i ri i kampionëve në fuqi e njeh ambientin, sepse është hera e dytë që drejton Partizanin, e ka testuar skuadrën në dy miqësore në Turqi, ku po zhvillohet minifaza dimërore. Të kuqtë kanë humbur me Trabzansporin dhe hungarezët e Honved, por rezultati ka pak rëndësi. Sormani ka provuar variantet taktike dhe lojtarë të ndryshëm në disa role për të fiksuar rreshtimin me të cilin do ta rifillojë kampionatin të mërkurën.

Adolfo Sormani, trajneri i ri i Partizanit. Gazeta Si, 17 janar 2020

Për trajnerin italian janë tre çështjet që duhet t’u japë zgjidhje. Trajneri Sormani do të luajë me mbrojtjen me katër lojtarë dhe dilema në këtë repart ka të bëjë me krahun e djathtë, ku duhet të vendosë mes Hektor Idrizajt dhe Dorian Kërçikut, i afruar gjatë merkatos dimërore nga Tirana. Dyshja e qendrës përbëhet nga Belica dhe Bitri, ndërsa në të majtë do të vazhdojë të luajë Trashi. Boldor është i pezulluar për javët e para, pasi incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes me Teutën në Durrës.

Formacioni i Partizanit ndaj Trabzansporit. Gazeta Si, 17 janar 2020

Çështja e dytë është ajo e Esat Malës, mesfushorit që mbetet i pezulluar dhe vazhdon të stërvitet me Partizanin B. Në fakt, kjo çështje i takon klubit, pasi është vendimi tij për ta lënë jashtë ekipit të parë mesfushorin për shkak të përplasjeve për rinovimin. Trajneri italian sigurisht që e do në skuadër Malën, një nga lojtarët më të rëndësishëm në sezonin e titullit, por për momentin është i detyruar t’i bëjë llogaritë pa të. Për qendrën e mesfushës janë të gatshëm Telushi, Brroja, Melo, dhe Romero, të cilët luajnë për tre vende. Hyseni është huazuar në Ishujt Faroe.

Formacioni i Partizanit në miqësoren ndaj Honved. Gazeta Si, 17 janar 2020

Kurse çështja e tretë është ajo e zëvendësuesit të Jasir Asanit, sulmuesit anësor që u shit në Suedi. Në fakt, ish-trajneri Lerda nuk e preferonte titullar Asanin, edhe ky ashtu si Mala një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit të Skënder Gegës. Drejtuesit e Partizanit nuk kanë blerë sulmues, të paktën deri tani, kështu që Sormani duhet të zgjedhë tre nga lojtarët që ka aktualisht në grup. Bardhi dhe Çinari janë favoritë për të luajtur nga krahët, por edhe Braun është një alternativë e mirë. Në majën e sulmit titullar do të vazhdojë të jetë Solomon. Në stol janë të paktë emrat me përvojë, ku veçohen Bilali në mbrojtje, Kote në mesfushë dhe J.Ekuban në sulm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë