Njerez

Ozil fton Erdoganin si dëshmitar në dasmë, kritika edhe nga Merkel

Miqësia e mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozil, me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka krijuar shpesh polemika në Gjermani. Një foto e të dyve vitin e kaluar solli qëndrimin e ashpër ndaj futbollistit të kombëtares gjermane, i cili u kritikua më shumë për lojën e tij në Botërorin e Rusisë, çka bëri që t’i jepte lamtumirën Gjermanisë, duke lëshuar jo pak akuza.

Kjo miqësi kthehet sërish në qendër të polemikave në Gjermani, pasi Ozil ka vendosur që Erdogan, presidenti i Turqisë, të jetë dëshmitar në dasmën e tij në verë. Një zgjedhje e futbollistit që ka fshirë pluhurin e kritikave të mëparshme dhe ka rikthyer debatet. Madje, këtë herë është kancelaria Angela Merkel, që nuk i ka kursyer kritikat. "Është një vendim privat, - ka thënë Merkel, - por është edhe një zhgënjim për të gjithë ne, që dikush që ka veshur për një kohë të gjatë fanellën e Gjermanisë dhe ka parë çfarë reagimi ka sjellë në opinionin publik takimi i tij i parë me Erdogan, të bëjë një zgjedhje të tillë. Futbollistët janë simbole të shoqërisë sonë, me të cilët njerëzit identifikohen më shumë se me politikanët”.

Ozil dhe Erdogan

Merkel i doli në mbrojtje Ozilit në kohën kur ai kritikohej shumë në Gjermani, pas fotos me presidentin turk. Por tani edhe ajo ka dalë kundër vendimit që ka marrë futbollisti turko-gjerman për dasmën. Kuptohet që debati dhe reagimet do të jenë më të ashpra në verë, në dasmën e Ozilit, ku Erdogan, një personazh aspak i pëlqyer nga gjermanët, do të jetë një figurë qendrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë