Futboll

Overmars sulmon UEFA-n: Njerëzit po vdesin, ata mendojnë për paratë

Këndvështrimet për masat që po merr UEFA janë të ndryshme dhe debatet janë të forta, madje shumë të forta. Rikthimi i futbollit pasi të ketë përfunduar emergjenca globale nga pandemia e Koronavirusit ka ngritur shumë diskutime. Nga njëra anë është nevoja për të përfunduar kampionatet aktualë, nga ana tjetër përparësia për shëndetin. Në këtë valë debati, ish-mesfushori i njohur holandez, Mark Overmars, thotë fjalë e tij dhe nuk ia përton aspak.

Ish-lojtari i Arsenalit dhe Barcelonës bën pjesë te kategoria e dytë, ajo që e ka fokusin te shëndeti. Overmars, aktualisht drejtor sportiv i Ajaksit, duke folur për “Telegraaf”, e sulmon direkt UEFA-n për vendimin e saj për të përfunduar kampionatet, por shigjeton edhe Federatën Holandeze, që është në të njëjtën linjë me Ceferin. “Është e pashpjegueshme se si UEFA dhe Fedarata Holandeze e Futbollit nuk i ndërpresin përfundimisht kompeticionet. Janë njësoj si Tramp: po vdesin me qindra njerëz çdo ditë, kurse për ta ekonomia është më e rëndësishme se shëndeti. Shpresoja që Federata Holandeze të mbante një qëndrim të pavarur, por po shoh që ajo fshihet pas vendimeve të UEFA-s”.

Mark Overmars, drejtor sportiv i Ajaksit. Gazeta Si, 2 prill 2020

Një reagim i fortë nga ish-ylli i Holandës. Qëndrimi i tij në fakt është kritikuar nga një pjesë e tifozëve. “Overmars thotë kështu, sepse e di që Ajaksi nuk e fiton kampionatin”, - thonë ata. Kampionati holandez është pezulluar pas javës së 26-të, ku Ajaksi është me pikë të barabarta me surprizën AZ Alkmaar. Gjithçka është e hapur, por Ajaksi ka më shumë mundësi për titullin dhe me shumë mundësi, fjalët e Overmars janë në aspektin human dhe jo atë të interesit të klubit që përfaqëson.

Për UEAF-n, ndërprerja përfundimtare e kampionateve aktualë do të ishte një goditje e fortë, që do të krijonte një situatë ekonomike shumë problematike për shumë klube. Ka edhe nga ata që mendojnë se rikthimi në fushë nuk do të krijonte problem për shëndetin e futbollistëve dhe ata që janë përreth tyre, por Jo Overmars dhe shumë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë