Politike

Osmani: Shkarkim Thaçit, taksa s’hiqet. Serbinë nuk e mundim me muskuj

Vjosa Osmani, kandidatja e parë grua që synon postin e Kryeministres së Kosovës, ka dhënë intervistën e parë pak orë pasi u zyrtarizua nga LDK-ja për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në emisionin “Pressing” në “T7” ajo tha se aktivitetin e saj në LDK e ka nisur që nga viti 1999. Ndërkohë angazhimi konkret nisi kur u bë pjesë e stafit të ngushtë të Presidentit Fatmir Sejdiu, i cili pasoi Ibrahim Rugovën pas ndarjes nga jeta, në krye te presidencës dhe LDK-së.

37 vjeçarja ka shpalosur pikëpamjen e saj për debatet më të mëdha politike në Prishtinë duke filluar nga dialogu me Serbinë dhe taksën 100%, e deri tek roli i presidentit Hashim Thaçit, për të cilin shprehet e bindur se duhet shkarkuar.
“Dialogun me Serbinë do e mbyllim me anë të ideve tona”, ka thënë Osmani. “Serbinë nuk do e mundim me muskuj, por me mend. Nuk e mundim duke bërë takime me Putinin", theksoi ajo.
Për kandidaten e parë femër për kryeministre në Kosovë dialogun me Serbinë nuk duhet ta udhëheqë më presidenti.

“Unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë. Ramush Haradinaj ka bërë gabimin më të madh në qeverisjen e tij që ia la në dorë bisedimet me Beogradin presidentit. Ai duhej të merrej me dialogun dhe jo Thaçi”, shprehet Osmani, duke deklaruar se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese duke udhëhequr bisedimet me Serbinë.

Vjosa Osmani, Gazeta Si, 27 gusht 2019



“Ai duhet të shkojë në shtëpi dhe kjo do të ndodh pasi në ta marrim qeverinë. Do t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese interpretim për shkeljet që ka bërë. Thaçi në asnjë mënyrë nuk do të jetë në krye të dialogut”, është shprehur Osmani.
Avokatja e Kosovës në gjyqin kundër Serbisë ka folur edhe për koalicionin me Vetëvendosjen dhe mundësinë e bashkëpunimit të tyre para zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Edhe pse bisedimet për një koalicion të tillë kanë nisur papara dorëheqjes se Haradinajt, si LDK-ja ashtu edhe Vetëvendosja deri më tani kanë qëndruar të patundur për marrjen e postit të kryeministrit. Nga Vetëvendosja kanë deklaruar se Kurti do të jetë kandidati për kryeministër dhe LDK-ja duhet ta pranojë këtë fakt nëse dëshirojnë të formojnë një koalicion. Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, Osmani thotë se është partia e saj do që ta udhëheqë qeverinë, bashkë me VV-në.

“Qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga LDK, në bashkëpunim me Vetëvendosjen. Ne do të bëjmë luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të rrënjosur”, ka thënë Osmani.

Ajo mohon se deri tani kanë biseduar konkretisht me Albin Kurtin rreth postit të kryeministrit, megjithatë thotë se bisedimet do të intensifikohen tri ditëve në vijim.
“Ata edhe pse kanë shprehur publikisht vullnetin, duhet të shkojnë me hapa konkretë. Ka vullnet për bashkëpunim dhe ky është hap tejet pozitiv, por kemi nevojë që në tri ditët e ardhshme të mbajmë bisedime intensive”, ka thënë Osmani.

Një nga vendimet kryesore që e pret qeverinë e re të Kosovës duket se do të jetë ai për mbajtjen ose jo në fuqi të taksës ndaj mallrave serbe, pasi SHBA-ja po bën presion për rifillimin e dialogut në dhjetor.

Megjithatë për Vjosa Osmanin, Haradinaj e ka vënë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe si masë për të mbuluar dështimet e qeverisjes së tij. Sipas 37 vjeçares ky ishte një vendim populist dhe mendon qeveria Haradinaj as nuk e ka ditur kuptimin e tij.
Nëse vjen në pushtet, ajo deklaroi se do ta mbajë këtë vendim në fuqi, por thotë se do ta nxjerrë Kosovën nga situata në të cilën ka mbetur.

Vjosa Osmani, Gazeta Si, 27 gusht 2019



“Ka qenë masë populiste sepse është vendosur për të mbuluar dështimet e qeverisë, e më pas është kthyer në kauzë politike. Jam e sigurt se nuk e dinë as dallimin mes taksës e tarifës”, ka thënë Osmani. “Sa herë është folur për tarifën, është LDK-ja që e ka mbrojtur dhe e ka argumentuar këtë masë para shteteve të QUINT-it. Tarifa do të mbeste në fuqi dhe LDK-ja do të nxirrte nga kjo situatë më të mirën për Republikën e Kosovës. Me argumente të fuqishme do të mbrojmë këtë vendim, por me argumente do të dimë edhe ta nxjerrim Kosovën nga kjo situatë”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se emri i saj është propozuar nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe shton se edhe emra të tjerë kanë qenë në listën e kandidatëve potencialë.

“Janë përmendur si kandidatura, por pastaj secili anëtar i kryesisë është deklaruar. Nuk ka pasur votim formal, por secili e ka shprehur mendimin e tij. Nuk ka pasur hezitim nga asnjë anëtar i vetëm”, ka treguar Osmani.

Haradinaj: Osmani zgjedhje e zgjuar e LDK-së

Kundërshtari politik i Osmanit dhe kryeministri në largim ka dhënë po ashtu një intervistë me “Koha” ku ka folur për kandidaten e LDK-së, duke thënë se ka respekt për të.

 “E respektoj Vjosën, LDK-ja ka bërë një veprim shumë të mençur me nomiminin e saj. Por jo e gjithë Kosova është LDK-ja, fatmirësisht jetojmë në demokraci”, ka thënë Haradinaj.

Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Ai ka folur edhe për taksën dhe dialogun me Serbinë duke thënë se të gjithë kandidatët për kryeministër duhet të mbrojnë interesin kombëtar të Kosovës.

“Pres prej cilido kandidat që të ruajë interesin kombëtar edhe në fushatë. Për shembull çështja e taksës. Nëse ia jep tregun Serbisë, çfarë ofron Kosova për ta marrë njohjen”, ka thënë Haradinaj.

Ai është shprehur se do të ishte mirë që një grua të jetë kryeministre, por se duhet të shikohet edhe se çfarë agjende ka ajo si kandidate.

“Unë them që do të vijnë tema të rëndësishme të cilat nuk ka rëndësi nëse do t’i marrë një grua apo një burrë, sepse kemi parë që edhe burrat nuk kanë mundur të marrin vendime”, ka thënë ai.

Kryeministri në largim ka folur edhe për Albin Kurtin, duke thënë se nuk ka vërejtje në aspektin teorik, por se kreu iu Vetëvendosjes është larg realitetit.

“Në aspektin teorik, s’kam vërejtje. I thotë gjërat bukur, por jeta është më reale, qeverisja është më reale. Nuk duket bindës. Është vështirë të realizojë ato që po thotë ”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë po ashtu se Vetëvendosja ka pësuar shumë lëkundje në doktrinën e saj.

“Nga luftimi i korrupsionit dhe bashkimi kombëtar që është lënë tanimë në harresë, Vetëvendosjes ka dalë me të tjera agjenda”, ka thënë Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë