Në takimin e radhës me koordinatorët e bashkëqeverisjes nëpërmjet portalit Shqipëriaqëduam.al, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të sulmojë medien vizive dhe të shkruar.
Shkak për këtë është bërë ankesa e një qytetari, i cili i kërkoi Ramës aplikacioni qeveritar të reklamohet në televizione, pasi njerëzit nuk e njohin dhe nuk dinë ta përdorin. Por ky sugjerim nuk i ka pëlqyer kryeministrit Edi Rama, i cili është drejtuar qytetarit që të mos ketë shpresa te mediet.
“Ju keni të drejtë, do të ishte mirë dhe do është mirë që ne të bëjmë edhe më shumë sqarime dhe me shumë shpjegime dhe kjo që ju thoni na nxit për këtë e do ta diskutojmë me skuadrën e platformës. Nga shtypi mos prisni shumë shpjegime se ata merren me filma, me incizime, kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë, kanë thashetheme, shpifje, muhabete... Imagjino, arrijnë deri në pikën që thonë se bixhozi po ndalohet për të tërhequr vëmendjen, krimi po luftohet për të tërhequr vëmendjen. Për të tërhequr vëmendjen nga çfarë? Nga filmat dhe nga incizimet. Llogarite se ku kemi përfunduar me këtë shtyp! Quhet shtyp i lirë, por në fakt është shtypja e lirë e qytetarëve. Domethënë, masazh brutal në trurin e vogël! Mjerë kush e lë trurin në dispozicion përpara ekranit të tyre!”, deklaroi Rama, i cili kësaj here për çudi nuk e përdori fjalën “kazan”.
Në takimin e sotëm, kryeministri Edi Rama sulmoi edhe bashkitë që drejtohen nga opozita, duke deklaruar se këto institucione nuk u përgjigjen kërkesave të portalit. Rama shprehu pakënaqësi për Bashkinë e Shkodrës, e cila drejtohet nga demokratja Voltana Ademi. “Kemi vështirësi specifike me pushtetin vendor, për fat keq nga një sërë bashkish ka një refuzim për të marrë ankesat. Kampione është Bashkia e Shkodrës, që refuzon çdo lloj bashkëpunimi. Më vjen shumë keq në rastet kur koordinatorët detyrohen që të dorëzohen, pasi njësitë vendore në disa raste janë komplet indiferente, pasi e konsiderojnë platformën si instrument të palës kundërshtare, ndërkohë që ne mund ta themi me krenari se në platformë nuk kërkojmë as fenë, as partitë e as idetë e ndryshme; janë pronësi intelektuale të gjithsecilit. Ne thjesht e vetëm trajtojmë në mënyrë të barabartë çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama, duke i cilësuar këto si pengesa artificiale.
Kryeministri ka bërë të ditur se do të miratojë një projektligj për Antishpifjen, duke detyruar mediat online që të regjistrohen. Por kjo iniciativë ka hasur në kundërshtime të organizmave ndërkombëtare, të cilët e cilësojnë këtë si inciativë për të bërë presion ndaj medias investigative të portaleve online. I tillë ishte reagimi i Reporterëve pa Kufij.
Ndërsa Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, në një letër drejtuar kryeministrit Rama shprehu shqetësimin në lidhje me këtë çështje, ndërsa shkruan se nisma mund të të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias.
“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.
Pas një bashkëbisedimi nëpërmjet telefonit mes Désir dhe Ramës është vendosur që për ligjin Antishpifje të hartohet në bashkëpunim me OSBE-në, kjo me qëllimin për të garantuar lirinë e medias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.