Politike

OSBE, BE dhe Këshilli i Europës kërkojnë tërheqjen e Paketës Antishpifje

Organizmat ndërkombëtar që operojnë në Shqipërinë si OSBE, Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës i kërkojnë qeverisë që të mos nxitojë në miratimin e ligjit Antishpifje dhe madje kanë paraqitur si opsion tërheqjen nga miratimi i këtij drafti. Kuvendi nisi seancat dëgjimore me grupet e interesit dhe me organizmat e huaja të Paketës Antishpifje. Përfaqësuesit e OSBE-së u deklaruan se janë në pritje të rregullimeve të mëtejshme dhe se përmirësimet janë të dukshme, por jo të mjaftueshme. Ndërsa përfaqësuesi i Këshillit të Europës u shpreh se duhet një draft i ri për median. Përfaqësuesja e Komisionit Europian u shpreh se ka kërkuar ekspertizë nga Brukseli e kërkoi që të mos nxitohen në miratimin e draftit.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Besmir Beja u shpreh në mbledhjen e Komisionit të Medias se ligji ka reflektuar sugjerimet e propozuar nga ana e organizmave ndërkombëtare dhe se është munduar që të mos cenohet liria e medias. Gjithashtu Beja theksoi se ka pasur gjatë kësaj kohe konsultime edhe me grupet e interesit. Pas prezantimit të dy drafteve nga ana e zyrtarëve të qeverisë dhe të AKEP dhe AMA-s, radha i ka ardhur përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare. “Ndryshimet e propozuara nuk cenojnë lirinë e shprehjes, por synon vendosjen e disa rregullave dhe standardeve etike në mënyrë që të respektohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut, të përmirësohet cilësia e informimit dhe diskursit publik. Kompetencat që i jepen AMA-s për median online janë të njëjta me ato që ku institucion ushtron për media tradicionale dhe se ne jemi bazuar te modeli kroat i këtij projekti”, theksoi Beja.

Eksperti ligjor i ministrisësë Drejtësisë, Besmir Beja. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019


E para që foli ishte Irina Radu, përfaqësuesja e OSBE-së, e cila bëri të ditur se pavarësisht përmirësimeve, duhet të merren në konsideratë propozimet më të fundit të paraqitur nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Désir. “Jam e dëshpëruar të them se jo të gjithë rekomandimet janë marrë në konsideratë, procesi është zgjatur ka pasur përmirësime, procesi ka zgjatur”, theksoi Radu. Sipas saj duhet të rishikohen dhe të mirë përcaktohen kompetencat e AMA-s, si dhe gjobat pasi janë shumë të larta dhe se ato duhet të jenë proporcionale në raport me masën e dëmit. “E kemi parë me vëmendje edhe draftin e dytë, për të parë edhe draftin e dytë, e kemi theksuar se duhet të ketë pajtueshmëri të plotë të ligjit për kërkesat dhe standardet për lirinë e fjalës, pra duhet të ishin plotësuar. Ashtu siç e kemi thënë edhe në deklaratat e mëparshme, ndajmë të njëjta mendime për dezinformimin, KE kërkon që të jenë më pak të ashpra dhe të jenë drejt vetërregullimit”, tha më pas përfaqësuesja e Komisionit Europian.

Komisioni Parlamentar i Medias, (foto arkiv). Gazeta Si, 10 dhjetor 2019


Ajo bëri të ditur se shqetësimet janë të njëjta si dy javë më parë dhe se shqetësimet janë të njëjta me ato të OSBE-së. “Ju bëjmë thirrje që ta rishihni edhe një herë këtë paketë. Dëshiroj të them që të gjitha këto ndryshime janë dërguar në Bruksel, e kemi shpërndarë edhe në ekspertët e drejtorive që merren në Bruksel me këtë çështje. Më lejoni të them se ne marrim parasysh të gjitha standardet”, theksoi ajo më tej.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesja e Këshillit të Europës që kërkoi rishikimin e ligjit madje propozoi dhe tërheqjen e këtij drafti, duke kërkuar ripunimin e një drafti të ri.

Përplasjet në Komisionin e Ligjeve

Paketa Antishpifje po diskutohet edhe në komisionin parlamentar të Ligjeve. Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, tha se drafti është përmirësuar me rekomandimet e OSBE-së, por gjeti kundërshtinë e përfaqësuesit të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili tha se mediat duhet të vetërregullohen, dhe kjo nuk mund të bëhet nga qeveria. “Në emër të një grupi të një organizate gazetarësh prezantoj qëndrimin e peerbashkeet të unifikuar. I bëjmë thirrje qeverisë të tërheqë 2 projektligjet e prezantuara si Paketa Antishpifje, pasi i akordojnë AMA-s dhe AKEP kompetenca gati gjyqësore”, theksoi Çipa. Ai theksoi se vetërregullimi i medias është kombinimi i standardeve, nuk mund të bëhet me ndëshkime të tilla. Thirrjes së organizatave tona sipas tij i janë përgjigjur 6 nga organizatat më te rëndësishme në bote që mbrojnë lirinë e medias.

Komisioni i Ligjeve. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

“Deri në momentin që do merrni në konsidetate reagimin tonë s’do jemi pjesë e këtyre mbledhjeve”, theksoi Çipa. Por kryekomisioneri Manja deklaroi se projektligjet duhen ezauruar sipas procedurës së Kuvendit. “Ju ngrini pretendimin se AMA dhe AKEP marrin kompetenca gjyqësore dhe kërkoni vetërregullim, pasi e shihni në mbrojtjen e lirisë së medias, por ky komision e sheh dhe në aneen e mbrojtjes së lirisë së individit. Komisioni është për dhënie mendimi, përgjegjës është komisioni i Medias”, theksoi Manja.

Shoqata e gazetarëve: Parlamenti t’i rrëzojë

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) i bëjnë thirrje Parlamentit të rrëzojë dy projekt ligjet mbi mediat, të propozuara nga qeveria. Në reagimin e këtyre dy organizatave, propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se Parlamenti do të kalojë të ashtuquajturën “pako kundër shpifjes” në 19 dhjetor. Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ / IFJ) mbështetën thirrjet e filialit të tyre në Shqipëri (APJA) për të hedhur poshtë dy projektligjet që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Nëse miratohet, ndryshimet në Ligjin për mediat audiovizuale dhe Ligjin për komunikimet elektronike do të lejojnë organet qeveritare, Autoritetin e Mediave Shqiptare (AMA) dhe Autoritetet e Komunikimit dhe Postës (AKEP), fuqinë për të bllokuar menjëherë faqet e internetit të mediave dhe të vendosin gjoba të tepërta për çdo shkelje e dinjitetit dhe intimitetit. Do të prezantonte gjithashtu kërkesa për regjistrim të detyrueshëm për median online”, thuhet në këtë deklaratë.

Faksimile e reagimit të shoqatës së Gazetarëve Europianë. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

“Ne kemi nevojë për vetë-rregullim në Shqipëri, jo rregullim shtetëror të mediave në internet, tha Mimoza Koçiu përfaqësuesja e APJA. Shqipëria ka ligje të mjaftueshme për të rregulluar raste të tilla, gjykatat tashmë vendosën në të kaluarën. Ne hedhim poshtë çdo dispozitë legjislative që do të impononte kërkesa për regjistrim dhe do t’u jepte rregullatorëve fuqinë për të bllokuar mediat elektronike dhe vendosjen e gjobave. Thjesht kërkojmë tërheqjen e ligjeve. ”
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA) paralajmëron se këto ligje të reja do t’u japin organeve rregullatore “kompetenca quasi të gjykatës”. Edhe pse këto organe janë të pavarur me ligj, nuk ka garanci që ata do të funksionojnë në mënyrë të pavarur në praktikë.
Frika nga mungesa e pavarësisë dhe gjobat e tepërta të vendosura pa kontroll gjyqësor janë ndër dispozitat shqetësuese të ngritura nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në shqyrtimin e saj juridik të botuar më 9 dhjetor. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Désir paralajmëroi se “gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt”. Në një deklaratë të përbashkët, EFJ së bashku me 6 organizata për lirinë e shtypit paralajmëruan “që propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë