Bota

Origjina e Covid 19, Kina gati për të ekzaminuar mostrat e gjakut në Wuhan

Kina është e gatshme të ekzaminojë deri në 200,000 mostra gjaku të marra nga banorët e Wuhan-it para shpërthimit të pandemisë Covid-19 dhe deri në muajt e fundit të vitit 2019, për të ndihmuar në hedhjen dritë se si dhe kur u shfaq koronavirusi dhe cila ishte origjina e tij. Hetimi i mostrave të ruajtura në qendrën e gjakut Wuhan, ishte kërkuar që në shkurt nga OBSH.

Mostrat e kampionëve të gjakut u ruajtën për dy vjet, thanë zyrtarët kinezë, si dëshmi për çdo padi të mundshme që lidhet me dhurimin e tyre. Kjo periudhë së shpejti do të përfundojë për muajt kyç të tetorit dhe nëntorit 2019, kur shumica e ekspertëve mendojnë se virusi mund të ketë infektuar njerëzit para dhjetorit.

Një zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Kinës, i tha CNN se përgatitja për testet aktualisht është duke u zhvilluar.

Mostrat përmbajnë "të dhëna absolutisht vitale", komentoi Maureen Miller, një profesoreshë e asociuar e epidemiologjisë në Universitetin Columbia në SHBA, duke i kërkuar Kinës që të lejojë ekspertë të huaj të vëzhgojnë procesin.

"Askush nuk do t'i besojë rezultatet që raporton Kina nëse nuk ka vëzhgues të kualifikuar", shtoi ai.

Kreu i ekipit kinez që punon në hetimin e OBSH-së, Liang Wannian, shpjegoi në një konferencë shtypi qysh në korrik se Pekini do të testonte mostrat, duke shtuar se pasi të merreshin, "rezultatet do t'i dorëzoheshin ekspertëve kinezë dhe të huaj", ndërsa grupi i ekspertëve kishte vlerësime të vazhdueshme "mbi metodat e testimit dhe planin e veprimit që do të zbatohej pas" dy viteve.

Mostrat, nëse ruhen në mënyrë korrekte, mund të përmbajnë elemente vendimtare të antitrupave të parë të krijuar nga njeriu ndaj sëmundjes.

Liang, vuri në dukje se ndërsa rasti i parë i raportuar në Wuhan ishte nga 8 dhjetori 2019, "hulumtimi ynë dhe dokumentet e mëparshme të lidhura nga shkencëtarët kinezë, sugjerojnë plotësisht se 8 dhjetori nuk ka të ngjarë të ketë qenë rasti kryesor. Mund të ketë të tjerë që janë verifikuar më parë”.

Administrata amerikane e Joe Biden, kreu një rishikim inteligjence 90-ditor të origjinës së virusit, duke arritur në përfundimin se transmetimi natyror nga kafshët tek njerëzit dhe rrjedhjet laboratorike, ishin dy teori të besueshme.

Biden, në lidhje me rezultatet, vuri në dukje se "informacioni kritik mbi origjinën e kësaj pandemie ekziston në Republikën Popullore, por që nga fillimi zyrtarët e Pekinit kanë punuar për të parandaluar qasjen ndaj hetuesve ndërkombëtarë dhe komunitetit global të shëndetit publik".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë