Futboll

Orges Shehi pranë rinovimit me Tiranën, Kolela nuk rrezikon te Partizani

Gazeta Si – Orges Shehi regjistroi ndaj Egnatias ndeshjen numër 100 në krye të stolit të Tiranës. Durrsaku është një nga trejnerët më jetëgjatë në klubin bardheblu, që tashmë po punon edhe për rinovimin e kontratës me të.

Shehi u shpall kampion sezonin e kaluar me Tiranën dhe tani është shumë pranë titullit të dytë ardhazi, edhe pse nga skuadra u larguan shumë yje. Skuadra e tij kryeson renditjen e Superiores me 5 pikë para Partizanit rival dhe presidenti Refik Halili ka pohuar se do të bëjë gjithçka për të mbajtur Shehin në stol.

Xhovani Kolela, trajneri italian i Partizanit. Gazeta Si, 18 prill 2023

Ndryshe është situata te Partizani, ku për italianin Xhovani Kolela nuk flitet për rinovim, por gjithashtu ai nuk rrezikon pas humbjes së fundit me Laçin. Pozitat e Kolelës janë lëkundur shpesh gjatë këtij sezoni, por duket se presidenti Gazment Demi ka vendosur ta mbyllë kampionatin me italianin në stol. E ardhmja pastaj mbetet për t’u parë.

Tirana dhe Partizani, edhe pse nuk janë raste identike, janë për t’u marrë shembull në fakt sa i takon raportit me trajnerët. Dy klubet e kryeqytetit duket se kanë hequr dorë nga ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve, që gjithmonë ndikon negativisht në mbarëvajtjen e skuadrës.

Vllaznia për shembull, këtë sezon ka ndërruar tri herë trajner. E nisi me Mirel Josën, e vazhdoi me Auron Milotin dhe tani drejtohet nga maqedonasi Goce Sedloski, por sërish qëndron prapa në renditje, në vend të 4-t.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë