Futboll

Orë vendimtare për Eriksen, derbi anglez për Lautaro Martinez

Interi është shumë pranë mesfushorit danez të Totenhemit, Kristian Eriksen. Janë orë vendimtare për mbylljen e marrëveshjes mes palëve dhe lojtari pritet të mbërrijë në Milano. Janë detajet e fundit për mesfushorin e kërkuar me ngulm nga Konte, por edhe nga Reali. Gjithashtu, në listën e merkatos zikaltër është edhe emri i Viktor Moses. Interi ka “ok”-in e Çelsit, Fenerbahçe nuk ka bërë rezistencë pas përfundimit të huazimit dhe në mesjavë pritet që nigeriani të kryejë vizitat mjekësore.

Janë orë vendimtare edhe për Politanon, fati i të cilit mbetet i kryqëzuar me atë të Romës. Deri tani ka ardhur Ashli Jang nga Mançester Junajtid, por Konte kërkon më shumë. Interi nuk ka në plan të rritë ofertën e 15 milionë eurove që i ka bërë Totenhemit. Për sulmin, emri i parë në listë mbetet ai i francezit Oliver Zhiru dhe drejtuesit zikaltër janë të predispozuar ta mbyllin sa më shpejt, pavarësisht shitjes ose jo të Politanos.

Lautaro Martinez, sulmuesi argjentinas i Interit. Gazeta Si, 20 janar 2020

Një lajm që vjen nga Anglia ndërkohë e prish disi humorin e Kontes. Sipas “The Sun”, sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez mund të transferohet shpejt në Premier League, ku e kërkojnë dy klubet e Mançesterit. Guardiola e do te Siti, po ashtu edhe Solskjaer e sheh si një përforcim me shumë vlera për Mançester Junajtid. Pak kohë më parë, emri i sulmuesit që po shkëlqen me Interin ka dalë edhe te Barcelona, kështu që drejtuesit zikaltër duhet të marrin masat për të mos humbur një nga kolonat më të rëndësishme të ekipit. Ofertave të majme financiare nga Anglia vështirë se u rezistohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë