Lajme

Opozita thirrje për protestën e 26 majit, Balla akuzon PD për lidhje me kokainën e Maminasit

Që nga dita që ka njoftuar se më 26 maj do të mbahet protesta kombëtare për largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj nga detyra, opozita vazhdon ethshëm përgatitjet.

Numri një i LSI, Monika Kryemadhi ka mbledhur kryetarët e partive në rrethe duke i bërë thirrje mbështësve dhe të gjithë qytetarëve që të bashkohen të shtunën e 26 majit në orën 11:00 për të larguar qeverinë socialiste.

“Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që mendojnë se kjo qeveri po varfëron vendin, që të bashkohen në protestën e së shtunës, intelektualëve, të rinjve që besojnë te një Shqipëri e denjë. Opozita nuk e largon Shqipërinë nga Europa, por Edi Rama nuk do që kjo gjë të ndodhë”- tha Kryemadhi duke vijuar akuzat ndaj Kryeministrit Rama.

“E shtuna është dita jonë për t’i treguar Edi Ramës, që asgjë nuk e ndal më popullin nga revolta e tij. Edi Rama nuk është Zot as i drejtësisë dhe as i Shqiptarëve. Nëse Rama do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me bandat e drogës, fundi i tij do të jetë i shpejtë dhe i tmerrshëm. I bëj thirrje të gjithë votuesve të LSI, të ngrihemi dhe ta rrëzojmë Edi Ramën. Nuk ka as njeri dhe as Zot që mbron Edi Ramën”- u shpreh Kryemadhi.

Më herët, në një deklaratë për mediat edhe demokrati Gent Strazimiri ftoi të gjithë shqiptarët të bashkohen të shtunën e 26 majit në orën 11:00 në protestën kombëtare të opozitës.

“Të bashkohemi më 26 maj në protestën kombëtare për Shqipërinë e çliruar nga qeveria e lidhur me krimin, për drejtësinë e barabartë për të gjithë, për Shqipërinë si gjithë Europa”- tha Strazimiri, duke iu përgjigjur edhe akuzave të kreut të grupit parlamentar socialist për lidhje të personave të rangjeve të larta në PD me ngarkesën 613 kg kokainë që u kap në Maminas.

“Për të mbrojtur veten dhe vëllezerit Xhafaj, Edi Rama është vënë në krye të një skenari kriminal mashtrimesh, manipulimesh dhe kërcënimesh kundër çdo denoncuesi të krimit me lidhje qeveritare. Njësoj si me ekspertizën e zërit të Agron Xhafajt, duke bërë prokurorin, Edi Rama hodhi mashtrimin e radhës për drogën e Maminasit.Partia Demokratike nuk mbron kriminelët, - u shpreh Strazimiri duke akuzuar Kryeministrin se është ai që ka lidhje me trafikun e drogës.

“Kokaina e Xibrakës dhe e Maminasit, trafiku dhe laboratorët e kokainës në Shqipëri janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës, Olsi Ramës dhe shokëve të tij” – deklaroi Strazimiri.

Deputeti demokrat u shpreh se për Partinë Demokratike droga është kanceri, që po vret Shqipërinë, e cila nuk mund të sakrifikohet për Sajmir Tahirin, vëllezërit Xhafaj, vëllezërit Habilaj dhe vëllezerit Rama.

“Ka vetëm një rrugë për hapjen e negociatave: lufta kunder drogës dhe krimit, kunder kapjes së shtetit nga xhafajt, habilajt tahirët, nga Edi Rama dhe shpura e tij mafioze”- tha Strazimiri.

Taulant Balla, sic paralajmëroi një ditë më parë edhe Kryeministri Rama, deklaroi se në çështjen e trafikimit të 613 kg kokalinë janë implikuar persona të rangjeve më të larta të PD. 

“Prisni e duroni, ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD. E gjithë kjo po e dëmton Shqipërinë në rrugën e rëndësishme të fazës përmbyllëse të hapjes së negociatave. Kjo është dicka që nuk i bën mirë Shqipërisë megjithëse Basha pa e ditur është futur nga Berisha në një aventurë të rrezikshme”- u shpreh Balla.

Në lidhje me audio-përgjimin e PD,  duke e quajtur sërish të stisur dhe duke i bërë thirrje Prokurorisë që t’i bëjë ekspertizën dhe të publikojë sa më shpejt rezultatet, Balla u shpreh:

“Lulzim Basha është  futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim i cili tashmë duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit të Brendshëm. Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë është futur nga Berisha dhe garipat e tij, të cilë tashmë dhe këtu flas për Sali Berishën e ka kuptuar fare mirë që ne e dimë se kush është e vërteta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë