Lajme

Opozita për buxhetin: Pasurohen oligarkët

Në një kohë që në seancën e sotme plenare po diskutohej projektbuxheti për vitin 2019 dhe njëkohësisht po zhvillohej protesta e banorëve të “Astirit” para Kuvendit, opozita e bashkuar bojkotoi sërish, duke zhvilluar një bashkëbisedim paralel për buxhetin 2019 me përfaqësues të biznesit, ekspertë, gazetarë e grupe interesi.

Kryedemokrati Basha u shpreh se rritja e borxhit dhe koncesionet kanë sjellë një faturë të tmerrshme për ekonominë dhe se buxheti i vitit 2019 është buxhet i pasurimit  të oligarkëve dhe i vjedhjes.

“Opozita do bëjë publike buxhetin që vjedh dhe zhvat taksat e shqiptarëve. Dhënia e koncesioneve 10 oligarkëve. Rritja e borxhit dhe koncesionet kanë sjellë një faturë të tmerrshme për sektorët e ekonomisë. Shqipëria ka nevojë për një buxhet realist që të ndalë largimin masiv të shqiptarëve, pasi 1 në 6 shqiptarë po largohet nga vendi. Buxheti 2019 është buxheti i vjedhjes dhe pasurimit të oligarkëve”, u shpreh Basha. 

Po ashtu, deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se me këtë buxhet, prioritet i kësaj qeverise duket se është pastrimi i parave.

“Ku kanë shkuar të gjithë taksat e rritura të Ramës? Nuk kanë shkuar as në bujqësi as në shëndetësi, por për pasurimin e oligarkëve. Kemi bërë mbi 100 amendamente. Sot Kuvendi thotë se opozita nuk bën propozime. Me këtë buxhet që ka harruar duket sikur është buxheti i fundit i Rilindjes. Unaza e Tiranës me 40 mln euro për 2 kilometra. Prioritet është pastrimi i parave dhe koncesionet për oligarkët”,  është shprehur Tabaku.

Ndërkohë, Grida Duma është shprehur se familjet shqiptare jetojnë në varfëri absolute me këtë buxhet.

“Pensionet, kontributi i punës së një jete do shpërblehet në akomodim, apo denigrim, ndihma ekonomike në shifra të minimumit jetik, apo në shkatërrim të dinjitetit të njeriut në këtë buxhet? Po kështu edhe për borxhin historik ndaj disa kategorive si ish-të përndjekurit. Kur vijmë në përditshmërinë tonë, kuptohet se kur pensioni është 70 mijë dhe shpenzimet mbërrijnë në 210 mijë vetëm për artikujt e shportës, mbijetesa garantohet vetëm me borxh. Prandaj edhe 1 në 5 familje ha një herë në ditë. Prandaj Banka Botërore jep alarmin për 38% të familjeve që jetojnë në varfëri absolute”, tha ndër të tjera Duma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë