Kosova

Opozita në Kosovë pas takimit me Lajçak: ‘Djalli fshihet në detaje’. Duhet të shohim draftin për Asociacionin

Nga Gazeta ‘Si’- Përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, pas takimit me të dërguarin e BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kanë deklaruar se është e nevojshme që të shikojnë draftin e Asociacionit, të propozuar së fundmi nga BE.

Sipas tyre, është e pamjaftueshme të thuhet që ky draft është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës pa lexuar nga një perspektivë e ekspertizës së Kushtetueses të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes.

“Patëm një takim me ndërmjetësin e BE-së Mirsollav Lajçak. Ishte një takim për të informuar në lidhje me procesin e javëve të fundit. Ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre dhe po ashtu në terma të përgjithësuar shprehu qëndrimin e BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë që drafti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë, është një draft me pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe, por ne fatkeqësisht nuk patën mundësi të konsultojmë tekstin integral”, tha Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Sipas tij, është e domosdoshme që ata të prezantohen me detajet e draftit.

“Shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezente për arsye se nuk jemi të njoftuar në detaje e siç thotë një shprehje ‘dreqi fshihet në detaje’. Neve na duhet të shohim detajet për të qenë të sigurt që një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do të transformojë Republikën tonë nga idealet e themeluesve të këtij shteti”, deklaroi Krasniqi.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit me liderët e partive opozitare në Kosovë, 7 nëntor 2023.

Ai përsëriti kërkesën që Kosovës t’i hiqen sanksionet nga BE-ja, pasi sipas tij janë të pakuptimta pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

“Kam kërkuar nga Lajçaku që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet nga BE-ja, sepse nuk është një qasje e drejtë, e aq më shumë pas një sulmi terrorist të 24 shtatorit, ku tashmë ka dëshmi që ishte përfshirje e shtetit serb, ndërsa nuk ka asnjë veprim në raport me Beogradin zyrtar”, tha Krasniqi.

Ndërsa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri tha se situata tani është kthyer siç ishte para disa javësh dhe se Kosova sipas tij po vazhdon të dënohet për shkak të “paaftësisë së Qeverisë”.

Lajçak, u takua sot me Krasniqin dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lufti Haziri, dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë, si dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së ka zbuluar se Lajçak ka në plan të vizitojë edhe Serbinë së shpejti, për të diskutuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë