Kosova

Lajçak në Prishtinë, Stano: Së shpejti edhe në Beograd, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Nga Gazeta ‘Si’-Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka komentuar vizitën e të dërguarit të Posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak në Kosovë.

Stano është shprehur se vizita e Lajçak në Prishtinë vjen të kuadër të përpjekjeve për fillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu zëdhënësi i BE-së ka zbuluar se Lajçak ka në plan të vizitojë Serbinë së shpejti, për të diskutuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.

Në vizitën e mbrëmshme, Lajçak është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ka biseduar për nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjes së normalizimit pa vonesa e parakushte.

“Jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të vazhduar bisedimet për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Po ashtu jemi pajtuar për hapat e radhës”, ka shkruar Lajçaku në platformën “X” pas takimit.

Nga ana tjetër, autoritetet e Serbisë, thanë të hënën se Prishtina zyrtare ka refuzuar një ftesë për takim ndërmjet kryenegociatorëve që është dashur të mbahet këtë të martë në Bruksel. Qeveria e Kosovës nuk i komentoi këto pohime.

Vizita dyditore, e paralajmëruar e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Kosovë, në agjendë parashikon edhe një takim të tij të përbashkët me krerët e opozitës ditën e sotme(7 nëntor).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë