Gazeta Si – Opozita ka reguar për zhvillimet e fundit në Kosovë. Pas vendimit të ShBA-ve për anulimin e stërvitjes ushtarake “Defender 2023”, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ‘Qeveria po bie në grackën e Serbisë’.
“Reagimet e shteteve mike kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së dhe vetë NATO-s dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik, në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, - thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti ka kritikuar mungesën e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë dhe i ka bërë thirrje qeverisë që të zgjedhë “të ardhmen euroatlantike, të zgjedhë maturinë politike para populizmit afatshkurtër”.

“Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, - ka thënë LDK-ja. Ajo ka nënvizuar se “devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”.
Partia e tretë më e madhe në Kosovë ka thënë se nuk do të lejojë me “asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë qeveri të rrezikojë themelet e shtetësisë”.
Edhe kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”.
Gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në very, ndja dhe psoja e parë ishte anulimi i stërvitjes ‘Defender Europe 2023’.
Prej datës 26 maj në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi atë ditë krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale me Policinë e Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të çtensionojnë menjëherë situatën. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kërkoi nga Kosova të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që të ulen tensionet.
Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.