Kosova

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit e Osmanit: E kthyen Kosovën 10 vjet mbrapa!

Gazeta Si – Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me një postim në faqen e tij zyrtare ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Sipas tij, Kurti dhe Osmani janë përgjegjës, pasi po e kthejnë përmbys Kosovën.

Haradinaj shkruan ndër të tjera se përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’ është alarm për sigurinë kombëtare.

Kurti dhe Haradinaj. Gazeta Si, 30 maj 2023

Reagimi i plotë i Ramush Haradinajt
Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale.

Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate të armiqësohesh me krejt botën demokratike. Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar.

Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë