Politike

Opozita kundër ligjit për ‘Planifikimin e Territorit’, Bardhi: Vendos pabarazi, kujtoni Xhaçkën

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve u diskutua për ligjin për “Planifikimin e Territorit”, ku parashikohen dhe disa lehtësime për investitorët strategjikë.

Aty përcaktohet se përpos parashikimeve, kushtet e zhvillimit të një investimi strategjik do t’i vendosë KKTU-ja, që është në varësinë e kryeministrisë. KKTU është akronimi i ri i KKT-së (Këshilli Kombëtar i Territorit), pasi do të marrë në administrim edhe burimet ujore.

Ky projektligj u kundërshtua nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi duke argumentuar se ligji zgjeron kompetencat kryeministrit dhe “vendos pabarazi mes një qytetari të thjeshtë dhe një investitori strategjik”.

“Që ta kuptojmë, Olta Xhaçka, ka një trajtim krejt preferencial kur ndërton hotelin 5 milionë euro, në tokë të vjedhur me letra të falsifikuara në raport me një qytetar qe do të rregulloje një çati apo një dritare. Këto ndryshime kanë dy standarde”, deklaroi Bardhi.

Sipas Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, ligji nuk siguron barazinë midis qytetarëve dhe investitorëve. “Ka edhe një arsye tjetër. Ata oligarkë që ndërtojnë pa leje ne vend që të shkojnë në burg siç shkon një qytetar në burg për një gardh, përjashtohen nga taksat dhe detyrimet. Prandaj ligji nuk është për qytetarët, por për kryeministrin dhe oligarkët”, tha Bardhi.

Pas propozimeve të opozitës, u votua shtyrja e diskutimeve për këtë projektligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë