Politike

Opozita ‘hyn’ në zgjedhje: Në 13 tetor, por me kryeministër teknik

Opozita bëri një lëvizje të “papritur” duke mos rrëzuar datën 13 tetor si opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale. Kjo datë është nxjerrë me dekretin e presidentit Meta më 27 qershor, i cili e shpalli si një përpjekje për të zgjidhur krizën dhe për shmangur përplasjet civile.
Por në një situatë ku zgjedhjet u mbajtën pa opozitën kryesore, tashmë situata duket se është rikthyer në pikën e parë ku palët po riparaqesin kushtet e tyre për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme dhe pa Ramën si kryeministër. Kryedemokrati Lulzim Basha u duk se mbajti një qëndrim të ri, pas takimit që zhvilloi një ditë më parë në Presidencë, me kreun e shtetit Ilir Meta. Sinjali i parë ishte që ai opozita të pranonte datën 13 tetor dhe se pas takimit të aleatëve me qëndrimin e tij la përshtypjen se opozita mund të shkonte në zgjedhje edhe pse Edi Rama mund të jetë si kryeministër.

“Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe ,siç është shprehur politikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit, siç e deklaroi dhe OSBE/ODIHR-i, duhet të jenë për njerëzit, dhe jo për ymerlalët dhe shokun e tyre, “Bablokun” e madh dhe oligarkët”, deklaroi Basha.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kryetari i PDK, Nard Ndoka, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, kryetari i PR, Fatmir Mediu, Edmond Spaho, Petrit Vasili, pas një takimi që kreu i PD ka zhvilluar me aleatët


Nga ana tjetër edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shprehet se po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
“Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Votimet e Rilindjes së 30 qershorit u refuzuan në mënyrë plebishitare nga shqiptarët”, deklaroi Kryemadhi gjatë takimit me strukturat e LSI në Durrës.
Por a është tërhequr opozita nga qëndrimi i saj që Rama të mos jetë kryeministër në zgjedhje? Kreu i PDK-së, Nard Ndoka shprehet se me “Edi Ramën si kryeministër nuk do të ketë as edhe një datë zgjedhjesh”.

Kryemadhi në takimin e LSI në Durrës


Gazeta "Si" ka mësuar se opozita ka sërish kushtin e saj për të pasur një kryeministër teknik në zgjedhje dhe kjo të sanksionohet me ndryshime kushtetuese, ku tre muaj përpara zgjedhjeve të krijohet një qeveri tranzitore dhe kjo të vendoset në ligjin themeltar të shtetit për një afat kohor prej 15 vitesh. Pra ky është opsioni i hedhur nga ana e opozitës që tashmë janë njohur edhe ndërkombëtarët që janë në kontakt edhe me të dyja kampet e politikës. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ka pranuar faktin e ndryshimeve në ligj për zgjedhjet, duke parashikuar që partitë politike të mos kenë të drejtën e pasjes së komisionerëve. Kjo mund të shihet edhe si një sinjal në adresë për opozitën për negociata.
Vetë Basha gjatë një takimi në Shkodër të dy ditëve më parë nuk e përjashtonte mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore dhe deri në ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri.
“Ky ndryshim s’mund të vijë me fjalë, por duhet të vijë me vepra dhe garanci. Duhet të vijë me ndryshime kushtetuese, me ndryshime zgjedhore, me ndryshime politike që do t’i paraprijnë një transformimi të thellë, në radhë të parë, të ekonomisë, që është plaga më e rëndë e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë dhe, po kështu, një transformimi të thellë, modernizues për vendin”, do të deklaronte kryedemokrati.
Opozita po organizon takime nëpër rrethe dhe kjo shihet më tepër si një tur falënderimi për zgjedhësit që refuzuan të dalin në votimet e 30 qershorit. Ndërsa nuk përjashtohet edhe fakti i organizimit të protestës së radhës së opozitë, por që ende nuk është vendosur data e re. Protesta duket se është edhe në varësi të qëndrimeve që do të mbajë mazhoranca në lidhje me kërkesën e opozitës që tashmë pret që me 13 tetor të mbahen dy palë zgjedhje lokale dhe të përgjithshme parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë