Politike

Opozita e re sherr për paktin PD-PS: Nuk i keni votat tona. Majko: Kostoja jonë

Frika e ndonjë marrëveshje politike mes PD-së dhe PS-së po tremb edhe opozitën e re parlamentare, e cila ka nisur të paralajmërojë mazhorancën se nuk do t’i japin votat për ndonjë reformë zgjedhore që e shmang atë. Opozita e re parlamentare i vendosi sot kushte të qarta mazhorancës për sa i përket realizimit të reformës zgjedhore.
Marrëveshja për njohjen e kontributeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kanada ka rikthyer edhe një herë debatin për votën e emigrantëve dhe reformën zgjedhore. “Keni shtrirë dorë bashkëpunimi apo dorë mashtrimi se kurrë nuk keni bërë marrëveshje, por vetëm pazare në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Keni shtri dorë apo xhake, tendera, thes? Falja e 61 bashkive në 30 qershor nuk ishte kauzë politike e shqiptarëve që jetojnë këtu. Ishte pazar i dorës së shtrirë me trastë pas dore. Ndaj me demagogji që keni një karrige bosh me të drejtë vote e u detyruat të shkretit të ngrihen që në pesë e gjysmë të mëngjesit të zgjojnë nga gjumi Komisionin e Venecias, i prisnin te dera, se i kishit thënë ju për dorën e shtrirë dhe ata donin të bënin foto se s'bën që i takuan ata për betejën që keni mes atij që keni zgjedhur vetë në këtë sallë është jo në funksion të interesave të qytetarëve të këtij vendi. Po deshët hajde ta fillojmë aty ku fillon themelet shteti dhe pushteti, tek vota e qytetarëve shqiptarë. T'ju japim mundësi të zgjedhin jo të votojnë, boll kanë votu nga '48 deri në '90-ën. Mos u tallni më me ta. Po s'qet ngop edhe këto tre mandate që i keni detyruar prapë të votojnë njëlloj si 45 vjet, kurrë mos u ngopshi”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit Myslim Murrizi.

Myslim Murrizi duke folur në Parlament


Edhe deputeti Ralf Gjoni ka qenë tepër i ashpër në fjalën e tij në Parlament duke paralajmëruar socialistët se opozita e re nuk do të japë votat për atë që ai e cilësoi si një pazar i pisët me ato që janë jashtë institucioneve, PD dhe LSI.
“Tani më lejoni t'ju qartësoj nja dy tre gjëra si juve në Parlament dhe atyre në rrugë që shpresojnë në një histori dashuriçke me Edi Ramën. Dhe sidomos ata në rrugë ta kenë të qartë si PD dhe LSI, nuk ka diell me këtë mazhorancë për ndryshimin e sistemit zgjedhor pa votën tonë këtu në Parlament. Ta kenë të qartë të gjithë, të hidheni pupthi ju dhe juve me ata bashkë. Shkoni tek ato lojërat e trampolinave të fëmijëve dhe hidhuni pupthi në ajër. Se nuk shans që të reformohet sistemi dhe të ketë reformë zgjedhore pa firmat dhe pa votën tonë këtu në Parlament si opozitë e bashkuar. Ne kemi mbështetjen perëndimore, ta harroni se vota jonë është këtu, se mund të bëni një Pazar në kurriz të shqiptarëve me PD dhe LSI. Nëse bëni Pazar me ata në rrugë do t’ju nxihet akoma më shumë faqja, nëse arrini të blini ndonjë nga këtu të opozitës do të duket qartë, sepse ai emër do të jetë jashtë”, paralajmëroi Gjoni.

Depuetii opozitës, Ralf Gjoni duke folur sot në Parlament


Deputeti i opozitës ka qenë i prerë duke theksuar se vota e tyre për reformën zgjedhore do të jenë kusht me ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar edhe një që Damian Gjiknuri të mos jetë bashkëkryetar i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
“Nuk ka shans që të reformohet sistemi dhe Parlamenti pa firmat tona dhe jemi të bashkuar, pasi keni firmat e 33 deputetëve. Qarkullojnë fjalë se qenkemi të ndarë. Jo me jo, ne jemi më të bashkuar se kurrë. Ta keni të qartë votat nuk do të jenë në favor të pazarit në kurriz të shqiptarëve. Fatkeqësisht PD dhe LSI kanë humbur votat e tyre. Brenda këtij muaji, zoti Balla, si kryetar i grupit të PS-së, duhet të mbledhësh tryezën kombëtare për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Jemi gati për rekomandimet e OSBE/ ODIHR, por ta harroni se kjo mund të realizohet me ndryshimin e sistemit. Bashkëkryetari i propozuar prej jush ka treguar zero vullnet për të ecur përpara, ju kemi kërkuar zëvendësimin e tij dhe për të caktuar një person më serioz”, deklaroi Gjoni.
Kushteve të Gjonit i është përgjigjur kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili bëri të qartë se është i detyruar që të bëjë marrëveshje me PD-në, pasi sipas tij atë ia dikton rezultati i zgjedhjeve dhe se historikisht çdo reformë zgjedhore është kryer me bashkëpunimin e partive të mëdha. “Historikisht teksa janë bërë reforma në vend është punuar në mënyrë koherente me opozitën parlamentare dhe jo, nëse i referoheni frymë së kushtetutës dhe kodit, merren për bazë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe në to, dhe LSI e PD rezultojnë të jenë parti parlamentare”, – deklaroi Balla, i cili akuzoi demokratët se kanë qenë kundër votës së emigrantëve.

Taulant Balla, duke folur në Parlament


Në përgjigje të deklaratës së deputetit Murrizi, ai ka dhënë këtë përgjigje, duke i kujtuar se votimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR janë kusht për negociatat me BE-në dhe nuk mund të deklarosh se nuk i përfill ato. “Harroje ti se kam dashuri për Bashën, gjëja e fundit që më akuzon është kjo, por kam respekt për historinë politike të vendit, dhe dialogut gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë karrige bosh PD për të ushtruar të drejtën e saj për të dhënë propozime, nëse nuk duan ta bëjnë kjo nuk do të thotë që reforma do të mbetet peng. Unë di që zonja Hajdari dhe Gjiknuri komunikojnë në mënyrë të vijueshme, ju nxis të mblidhni komisionin që do të ketë edhe dy anëtarë të tjerë”- deklaroi numri dy i PS-së.
Deputeti i opozitës, Myslym Murrizi deklaroi se problemi nuk është depolitizimi i komisionerëve, por duhet të jetë ndryshimi i sistemit. “Për çfarë i doni ato (PD e LSI) që të mos votojnë emigrantët, ju jeni hipokritë si PS që bëni këtë ftesë. Ne po themi hajde po votojmë për emigrantët. Këta që deklaron ti z.Balla janë buzëkuqe dhe botoks të një trupi me kancer. Jo, jo, kancer është sistemi, o Taulant. Vendosni që t’i numërojë makineria votat. Ne duhet të vejmë gishtin në plagë dhe kjo është ndryshimi i sistemit”, deklaroi Murrizi.

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko


Debatit apo frikës së opozitës së re për një marrëveshje politike mes PD-së dhe PS-së iu përfshi edhe ministri Pandeli Majko. Ai u shpreh se pavarësisht këtyre marrëveshjeve, kostoja do të jetë e PS-së. “Marrëveshjen mes PD-së dhe PS-së, kostot i marrim ne. Në fund fare do të vijnë në sallë të votohet, pa votën tuajën ne nuk mund të diskutojmë çfarëdolloj marrëveshje me molla me dardha, me ngjala. Duhet ta dini se ka shumë skuadra të mëdha ku zëvendësuesit kanë bërë histori”, deklaroi ministri Majko.


Bushati qëndrim antisistem: Po përjetojmë një krizë vlerash
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka mbajtur një diskutim të fortë duke akuzuar qeverinë për mos përfshirjen e diasporën në vendimmarrje apo në drejtime të institucioneve. Ndërsa theksoi se po përjetojmë si komb një krizë vlerash dhe se duhet që të gjithë bashkë të mblidhemi dhe të diskutojmë se çfarë duhet të jetë Shqipëria pas 30 apo 50 vitesh. “Po përjetojmë krizë vlerash, jo nga mungesa e të mirave, por nga mpirja që sjell mungesa e shpresës. Vjen nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Nuk është çështje e majtë e djathtë, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish ..nuk mund të përdorim patriotizëm fals. Na duhet të biem dakord bashkë e të përcaktojmë cilat janë qëllimet e vendit tonë… ku do të jetë Shqipëria dhe çfarë toke do të jetë. Izraeli një vend në mes shkretëtirës është vendi më i zhvilluar në botë, sepse izraelitët vendosën një qëllim. Një objektiv kërkuan që vendin e tyre ta bëjnë vendin e dijes. Janë të domosdoshme objektivat që duhet të përcaktojë një kombi janë të domosdoshme dhe në këto objektiva duhet të përfshihet dhe diaspora”, deklaroi Bushati.

Ish-ministri po shpreh prej kohësh rezerva ndaj qeverisë. Mes tij dhe kryeministrit ka një krisje të marrëdhënieve dhe kjo pas largimit të kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili rezultoi me rekorde kriminale. Qëndrimeve të Bushatit, iu përgjigj vetëm me një fjalë Balla, duke i cilësuar si qëndrime që vijnë se nuk do të hapen negociatat. "Pavarësisht se disa këtu janë në hipostaza të ndryshme (Hipostaze: Grumbullim i gjakut në pjesët e poshtme të trupit ose në organet e veçanta për shkak të qarkullimit të tij të dobësuar), ne do t'i fillojmë bisedimet dhe do të caktohet një datë për çeljen e negociatave", theksoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë