Politike

Opozita e re, Rudina Hajdari jo më kryetare e grupit parlamentar

Deputetja Rudina Hajdari nuk do të jetë më kryetarja e grupit parlamentar “Demokrat”. Ky mësohet se ka qenë vendimi i grupit parlamentar të opozitës, në përbërje të së cilës janë deputetët e dalë nga lista e Partisë Demokratike.

Gjithashtu mësohet se ka qenë vetë grupi parlamentar që ka njoftuar këtë ndryshim, duke caktuar si kryetar të ri, deputetin Korab Lita. Arsyeja e këtij ndryshimi lidhet edhe me faktin e mirëorganizimit të këtij grupi.

“Grupi Parlamentar Demokrat në mbledhjen e tij të fundit, në funksion të organizimit të brendshëm bëri ndryshim në drejtimin e grupit. Personalisht, dua t’ju dërgoj një falënderim kolegëve të mi të Grupit Parlamentar për vlerësimin dhe besimin që më dhanë për të drejtuar Grupin Parlamentar Demokrat. Detyra që më është besuar si Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat unë e shoh si një përgjegjësi e aspak privilegj sidomos në këtë situate politike e institucionale ku ndodhet vendi ynë. Nëpërmjet jush dua të siguroj kolegët, dhe të gjithë qytetaret Shqiptare, që të gjithë bashke do të jemi në lartësine e duhur për të justifikuar besimin e dhënë”, shprehet deputeti Lita nëpërmjet një postimi në Facebook.

Deputetët që janë anëtarë të Grupit "Demokrat"

Në media qarkulluan lajme se ndryshimet ishin pasojë e përplasjeve të brendshme të këtij grupi, ku shumica e deputetëve kishin shfaqur pakënaqësi ndaj Rudina Hajdarit që prej konferencës së organizuar nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

Por, i kontaktuar nga gazeta “Si”, Korab Lita i mohoi këto lajme. Ai tha se ndryshimet janë pjesë e riorganizimit dhe ndarjes së punës në grupin demokrat.

“Hajdari ka detyrat më të rëndësishme në grup si kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe kryetare e Komisionit të Reformës Elektorale”, deklaron ai.

Deputeti i tjetër i këtij grupimi, Alban Hoxha e përforcoi për Gazetën "Si" se vendimi është marrë me konsensusin edhe të vetë demokrates Hajdari. Ajo mësohet se vetë është shprehur se ka qenë tejet e ngarkuar me angazhimet parlamentare dhe se fokusi i saj tashmë do të jetë reforma zgjedhore, ku është edhe bashkëkryetare e komisionit të posaccëm parlamentar. Edhe deputeti tjetër Arlind Çaçani thekson se vendimi është marrë në konsensus të plotë dhe se mbledhja u mbajt dy ditë më parë.

Hajdari gjithashtu mban postet e kryetares së Komisionit të Integrimit Europian, si dhe është edhe drejtuese e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Hajdari e mbajti peshën kryesore të opozitës në Parlament, duke qenë dhe zëri i opozitës përballë reagime të kryeministrit. Tashmë në përballjet në seance Rama do të replikojë vetëm me kreun e ri të grupit opozitar Korab Lita, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e nënkryetarit të bashkisë së Kamzës.

Në seancën e së enjtes pritet që kryeparlamentari Gramoz Ruçi të njoftojë për këtë ndryshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë