Politike

Opozita e re nuk përfaqësohet në Këshillin e Europës

Asambleja e Këshillit të Europës është institucioni që përbëhet me deputetët e vendeve anëtare, ku aderon edhe Shqipëria, si shtet anëtar. Prezenca në këtë organizëm të rëndësishëm realizohet sipas përfaqësimit politik, në raportin mes mazhorancës dhe opozitës të çdo shteti. Në mbledhjen e radhës të zhvilluar në sesionin e vjeshtës të Asamblesë së Këshillit të Europës, Shqipëria u përfaqësua pa opozitën. Të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë vetëm deputetët e mazhorancës, Ervin Bushati, që është kryetari i delegacionit shqiptar, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni si anëtar të përhershëm. Në njoftimin zyrtar të Parlamentit bëhet e ditur se delegacioni shqiptar, i cili po merr pjesë në punimet e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, po lobon edhe për të fituar mbështetje për çeljen e negociatave të anëtarësimit në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian. Në këtë sesion në rend dite ka qenë dhe miratimi i kandidaturave të Shqipërisë në Komitetin për Parandalimin e Torturës (CPT). Kuvendi i Shqipërisë është përgëzuar për procedurën e ndjekur dhe standardin e vendosur. Nënkomiteti i të Drejtave të Njeriut në Asamble miratoi listën e kandidatëve të propozuar nga Shqipëria, të cilën ia kaloi Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për zgjedhjen e përfaqësuesit të vendit tonë në CPT.

Eglantina Gjermeni, Ervin Bushati, Klotilda Bushka. Gazeta Si, 6 tetor 2019


Natyrshëm në këtë delegacion duhet të jetë edhe përfaqësuesi i opozitës parlamentare, por që në bazë të hulumutimit që ka Gazeta "Si" ka bërë, rezulton se në faqen zyrtare të Këshillit të Europës ekzistojnë akoma deputetët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë dorëzuar mandatin e tyre që në shkurt të këtij viti. PD dhe LSI dorëzuan në bllok mandatet e tyre si pjesë e aksionit të tyre politik, por sipas Këshillit të Europës anëtarë janë sërish Tritan Shehu, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi, përfaqësues dhe zëvendësues të delegacionit. Gazeta "Si" tentoi të njihej edhe me arsyen e këtij fakti që duket i çuditshëm, pasi deputetët që kanë dorëzuar mandatin figurojnë që të jenë përfaqësues me të drejtë vote në Këshillin e Europës.

Anëtarët e KiE-s që figurojnë në faqen zyrtare të Asamblesë së Këshillit të Europës. Gazeta Si, 6 tetor 2019


Ndërkohë në faqen e Parlamentit shqiptar rezulton se janë kryer zëvendësimet, ku përfaqësues i opozitës është deputeti Arlind Çaçani. I kontaktuar nga Gazeta "Si", deputeti i opozitës së re, Çaçani pohon se pavarësisht se është zgjedhur nga Parlamenti, në Asamblenë e KiE-s nuk ka qenë prezent, pasi deri më tani është në statusin e vëzhguesit. "Nuk janë kryer ende kredencialet për të qenë prezent, deri në janar do të jem në statusin e monitoruesit", shprehet Çaçani për Gazetën "Si".

Deputeti i opozitës së re, Arlind Çaçani në mbledhjen e Asamblesë së KiE-s si vëzhgues. Gazeta Si, 6 tetor 2019
Kërkesa drejtuar për kryerjen e akreditimit të ri pranë Këshillit të Europës


Më tej ai thekson se vetë Këshilli i Europës nuk ishte përballur ndonjëherë me një praktikë të tillë, siç ishte ajo e dorëzimit të mandateve në bllok të deputetëve të opozitës. Lidhur me këtë çështje, pra mungesën e opozitës në një institucion ndërkombëtar, deputeti i PS-së, Ervin Bushati në një reagim për Gazeta "Si", thotë se Parlamenti e ka dërguar emrin e deputeti Çacani për të mundësuar përfaqësimin si anëtar i delegacionit shqiptar në KiE. Ata e lidhin me faktin se kredencialet, ose njohja e këtij vendimi, duhet të kalojnë në disa procedura. “Kanë procedura shumë konservative, ata i rishikojnë vetëm në janar mandatet”, thekson deputeti socialist. Shqipëria ka 4 anëtarë si përfaqësues në këtë Asamble, si dhe katër zëvendësues. Sipas faqes zyrtare të KiE-s, rezultojnë si anëtarë Ervin Bushati (PS), kryetari i delegacionit, Klotilda Bushka, Elgantina Gjermeni dhe Tritan Shehu (ish-deputet i PD-së). Si zëvendësues janë Klodiana Spahiu e PS-së, Petrit Vasili ish-deputet i LSI-së, Oerd Bylykbashi ish-deputet i PD-së dhe Almira Xhembulla deputete e PS-së. Si rregull duhet të jesh përfaqësues i një grupi parlamentar që të jesh anëtar i Asamblesë së KiE-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë