Politike

Opozita e re: Ka pakt PS-PD. Socialistët bojkotojnë tryezat për sistemin zgjedhor

Reforma zgjedhore po ndan në dysh opozitën e re dhe mazhorancën socialiste. Një ditë më parë, opozita parlamentare bojkotoi komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, duke i dhënë sinjale të qarta se nuk do të jenë prezent në rast se nuk do të përfshihet në agjendë e diskutimeve ndryshimi i sistemit.
Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm të reformës, deputetja e opozitës, Rudina Hajdari ishte e pranishme në tryezën e organizuar nga fondacioni gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe Nisma Thurje ku pjesë e diskutimeve ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor. Në këtë tryezë ishte i ftuar edhe bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, por ai nuk ishte i pranishëm dhe kishte gjetur një justifikim familjar për këtë mungesë. Por të pranishëm nuk ishte asnjë prej deputetëve socialistë që janë anëtarë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Opozita parlamentare ishte prezente në këtë komision, dhe panorama ishte si një hakmarrje e socialistëve ndaj bojkotit të bërë një ditë më parë në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.

Amabasadori gjerman Peter Zingraf, duke diskutuar me deputeten Rudina Hajdari. Foto Gazeta "Si", 17 dhjetor 2019


Deputetja Rudina Hajdari jashtë tryezës për reformën me shoqërinë civile, u konsultua me ambasadorin gjerman në Tiranë, Peter Zingraf për 10 minuta. Këtij konsultimi iu bashkua dhe deputeti tjetër i opozitës, Ralf Gjoni.
Pas disa 10 minutash konsultimi, ambasadori gjerman nuk pranoi të jepte ndonjë prononcim për gazetarët, por dy deputetët Hajdari dhe Gjoni folën për median duke dhënë qëndrimin e tyre të prerë se komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore duhet të përfshijë menjëherë në agjendë të punës propozimet për ndryshimet e sistemit.
Deputetja Hajdari paralajmëroi një pakt të fshehtë mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore. “Ne kërkojmë që mazhoranca të bashkëpunojë me ne patjetër se luan një rol vital për këtë proces. Ne duam që mazhoranca te mos mbyllet mbas dyerve me PD-së dhe LSI-së dhe të bëjnë një marrëveshje sipas dëshirës tyre dhe kjo të vijë në Parlament dhe të votohet, e kjo të humbë integriteti dhe të degradojë i gjithë procesi i reformës zgjedhore. Këto janë gjëra që qarkullojnë dhe ju e dini mirë si gazetarë, se kështu na ka treguar eksperienca e deritanishme e politikës shqiptare. Në çdo lloj krize ato janë ulur me njëri-tjetrin, kanë biseduar kanë realizuar ato ndryshimet e tyre që iu kanë rënë për shtat për rotacion pushteti dhe kjo ka rënduar qytetarët shqiptarë”, deklaroi Hajdari. Ndërsa në tryezën e reformës zgjedhore, deputetja demokrate theksoi se po kërkojnë të rrëzojnë paktin e 2008-ës mes PD-së dhe PS-së për ndryshimin e Kushtetutës që dhuroi pikërisht këtë sistem.

Deputetët Gjoni, Hajdari dhe ambasadori gjerman duke diskutuar mbi qëndrim e opozitës së re. Foto Gazeta "Si", 17 dhjetor 2019


“Që nga marrëveshja e 2008, që ka ndodhur me dyer të mbyllura dhe më pas ka ardhur në parlament dhe është ndryshuar Kushtetuta. Ajo që po kërkojmë ne sot është të zhbëjmë atë marrëveshje dhe ta bëjmë në një lloj procesi që i rikthen integritetin procesit zgjedhor. Kjo nuk bëhet për pushtetin e disa njerëzve, por sepse ne duam që njerëzit të ndjehen të përfaqësuar. Akoma po tentohet që të ketë një marrëveshje prapa dyerve dhe kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë lloj mënyre. Nëse aktorët kanë dëshirë të bëjnë marrëveshje dhe do t’i bëjnë ato me dyer të mbyllura, do të humbin besimin tek qytetarët shqiptarë”, u shpreh Hajdari. Deputeti tjetër i opozitës, Ralf Gjoni deklaroi se opozita e re nuk mund të pranojë që të shërbejë si fasadë në komisionin e reformës zgjedhore.

Kemi bërë përpjekjet maksimale për të hapur debatin e madh për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Jemi në favor të një ndryshimi sistemit zgjedhor për lista të hapura. “Ky duhet të ishte debati sipas pikës dy të komisionit të reformës zgjedhore, të cilin PS-ja po e injoron. Kemi shtrirë dorën ndaj të gjitha partive politike jashtë Parlamentit. Asnjë partitë politike nuk ka sjellë ndonjë propozim konkret për ndryshimin e sistemit. Ka ardhur koha që t’i qartësojë gjërat për sa i përket procedurave të komisionit. Ne nuk mund ta fillojmë trajtimin e çështjeve nga bishti, por duhet ta fillojmë nga koka. Nuk mundet që të vijnë drafte të parapërgatitura si një lugë çorbe që na ushqehet dhe ne nuk jemi atje mbushës karrigesh për fasadat e PS-së”, deklaroi Gjonaj. Opozita e re parlamentare i druhet një pakt të fshehtë dhe po paralajmëron ndonjë bojkot dhe pse si nga Gjoni dhe Hajdari mohohet. Parashikohet një mbledhje e radhës së komisionit, ku opozita e re parlamentare do të tentojë të përfshijë edhe diskutimet për ndryshimin e sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë