Ka nisur seanca e jashtëzakonshme plenare ku pritet që të miratohen disa ligje të rëndësishme.
Në rend të ditës është projektligji “për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, që kërkon 84 vota për t’i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjore për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ‘djegur’ nga Vetingu.
PD dhe LSI kane bojkotuar punimet, të pranishëm janë vetëm krerët e grupit parlamentar të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.
Ata kanë kërkuar që të kthehet ligji për shembjen e Teatrit, pasi sipas tyre rezultati i votimit të së enjtes është manipuluar.
“Është një kërkesë e cila qartëson në sallën e Kuvendit se çdo standard ka rënë. Dy javë më parë iu hoq mundësia opozitës të fliste. Është depozituar kërkesa dy ditë më parë. Ka qenë koha e duhur për të bërë investigim. Është një standard shumë i ulët. Është e papranueshme që në këtë situatë ne të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të hapej seanca. Kjo situatë të sqarohet”, tha Vasili.
“Ditën e enjte është kryer votimi për Teatrin, por më shumë se kaq ishte vetë procesi i votimit, i cili ka pasur defekte. Një deputet i opozitës, pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro. Ne jemi privuar nga e drejta për të folur nëpërmjet vullnetit të shumicës. Kërkesa jonë është bërë para dy ditësh sepse kjo çështje është urgjente. Kuvendi duhet të bënte verifikimin e votimit. Ne nuk marrim pjesë për shkak se gjendje të tilla në Kuvend po bëhen të zakonshme”, u shpreh Spaho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.