Nga Gazeta ‘Si’- “Porti i Durrësit është lënë jashtë kontrollit dhe aty bëhet trafiku më i madh i kokainës”.
Kështu pretendoi Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndërsa komentoi operacionin e SPAK dhe atë antimafies italiane, që goditën një grup kriminal me qendër në Durrës.
“Porti i Durrësit u la jashtë çdo kontrolli dhe kontrollin e vërtetë të portit e kanë 100% vetëm Troplinët. Aty ka grupe të tjera, unë mund t’i citoja, por jo.
Kokainë hyn e tëra në Shqipëri nëpërmjet Troplinëve. Në këtë drejtim unë përshëndes antimafien italiane. SPAK aty ishte, nuk bëri asgjë. SPAK ka muaj dhe vite që sodit dhe nuk bën asgjë.
Janë lëshuar 52 urdhër arreste, nuk u tha sa u arrestuan dhe asnjë gjeneralitet”, tha Berisha.
Berisha pretendon se eksponentët kryesore të grupit kriminal nuk janë kapur, pasi janë njoftuar dhe ata janë larguar.
“Ervis Doçi, apo famozi Poja ka gjithçka me licencë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Pra prapa trafikut të kokainës qëndrojnë ata që i kanë lënë portin. Porti i është dorëzuar Troplinit, ndaj ai u njoftua të ikë. Pra po ta marrim kështu Toto Rino është në kryeministri, nën Toto Rino ia mbathi”, tha Berisha.
Kreu i PD më tej akuzoi edhe Altin Hajrin se ka kërcënuar një nga kandidatet e Partisë Demokratike për deputete në qarkun e Durrësit. Sipas Berishës, Hajri vepron i pashqetësuar pasi ka suportin e kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Unë ua thashë edhe mbrëmë. Altin Hajri, me dosjen e të cilit është marrë direkt Dumani, ka ndaluar makinën dhe ka shkuar në formë presioni tek kandidatja jonë në Hardhishtë. Po, vetëm e vetëm si formë presioni që këtu jam unë. Po ai ka me vete Dumanin dhe Ulsiun, dy kostumet që i thoshte, merrja pak masën atij që t’ia bëjmë dy kostume, se u soll mirë ai, i qëndroi fjalës. Ka ministrin. Kjo është e vërteta”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.