Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj paralajmëron arrestime të tjera në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhafaj ka bërë ditur rezultat e operacionit që uniformat blu kanë ndërmarrë, dhe i shtrirë në disa ditë.
“Forca e Ligjit në një tjetër SUPER OPERACION policor në goditjen me ashpërsi ndaj grupeve kriminale të skeduara nga Task Forca Speciale. Goditje ndëshkuese ndaj grupeve në fushën e prodhimit dhe trafikimit të drogës. Forca e Ligjit mbi gjithçka e mbi cilindo. Në 3 ditë një operacion i shtrirë në 12 qytete, me 100 objekte të kontrolluara, me 27 të arrestuar e 6 në kërkim, drejtues e anëtarë të 4 grupeve kriminale, të skeduara nga TFS, përfshirë në prodhimin e trafikun e drogës. Fryt i hetimit, vëzhgimeve e gjurmimeve disa mujore”, shkruan Xhafaj.
Ministri i Brendshëm, gjithashtu ka bërë të ditur këto operacione janë ndërmarrë edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Forca e Ligjit do të vazhdojë. Ky s'është w por betejë reale me krimin e organizuar. Kemi ngritur institucione që po forcohen çdo ditë. Bashkë me agjencitë ligjzbatuese & partnerët ndërkombëtarë. Forca e Ligjit s'ndalet nga askush. Të tjera goditje e rezultate së shpejti”, thekson Xhafaj.
Duke bërë të ditur se rezultatet e punës në këto operacione do të vijojnë . Ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin me drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Krimeve të Rënda, si dhe të prokurorëve të çështjes.
Dy ish-deputetët të PS-së, njeri prej të cilëve ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve u arrestuan nga policia. Arben Çuko akuzohet për korrupsion pasiv, pasi në ka marrë ryshfet në transferimin e të burgosurit. Ndërsa ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Lezhës.
Ndërsa është kapur grupi i të fortëve të Shijakut, i klanit Avdyli, të akuzuar për trafik droge. Policia është hedhur edhe në kërkim të “Eskobarit të Ballkanit”, Klemend Balili dhe të Lulzim Berishës, të fortit të bandës së Durrësit.
Operacionet për kapjen e tyre të zhvilluara në ditën e fundit kanë dështuar deri më tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.