Rend dhe Ligj

Video / Operacion në det të hapur, kapet rreth 1 ton kanabis në Vlorë. Arrestohen 3 shqiptarë dhe 2 ukrainas

Gazeta Si - Një ngarkesë prej rreth 1 ton kanabis (992 kg) është sekuestruar në kuadër të një operacioni antidrogë të organizuar nga Policia e Vlorës dhe Guardia di Finanza.

Droga ishte duke u transportuar me 3 skafe nga gjiri i Vlorës dhe më pas ishte vendosur në anije që ishte nisur drejt Italisë.

Policia njofton se janë arrestuar 3 shtetas nga Vlora, ndërsa në anijen ku u gjet droga janë arrestuar 2 shtetas me kombësi ukrainase, të cilët morën sasinë e marijuanës nga shqiptarët. Policia tha se një tjetër shtetas shqiptar, banues në Vlorë është shpallur në kërkim.

Në pranga kanë rënë: Arbër Saraseli, 31 vjeç; Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi, Gregor Likaj.

Nga Guardia di Finanza, janë arrestuar shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.

Burime paraprake, bëjnë të ditur se lënda narkotike është bllokuar një ditë më parë në vendin e quajtur Gjiri i Arushës.

Lënda narkotike, e amballazhuar në thasë të mëdhenj, është bllokuar teksa po shkëmbehej mes trafikantëve në det të hapur. Droga ishte paketuar në pako të mëdha dhe secila prej tyre kishte simbole identifikimi, si gërmat "Z" dhe "S1".

Sipas burimeve, tre skafistët e kanë shkëmbyer drogën në det. Ata kanë lëvizur me tre skafe dhe e kanë ngarkuar kanabisin në një anije, e cila po i priste në brigjet e Jonit.

Policia e Vlorës ka qenë duke i vëzhguar së bashku Guardia di Finanza. Me të përfunduar shkëmbimi, policia ka ndërhyrë dhe ka vënë në pranga skafistët.

Mendohet që ky veprim i trafikantëve të jetë bërë në limitet e kalimit të hapësirës ujore mes dy vendeve, për të mos krijuar dyshime te radarët.

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.

Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë