Lajme

Operacion antidrogë në Vlorë e Tiranë, në pranga 5 persona

Policia ka goditur një grup që merrej me shitblerje të lëndëve narkotike në Vlorë dhe Tiranë, ndërsa ka sekuestruar 50 kilogramë lëndë narkotike kanabis “çokollatë”me vlerë rreth 100 mijë euro dhe ka arrestuar 5 persona.

Në pranga përfunduan Sokol Bushi, 23 vjeç, dhe Martin Bushi, që të dy banues në fshatin Llakatund të Vlorës; Arben Metaj, 47 vjeç, banues në Vlorë; Edi Tafa,22 vjeç, banues në Kamzë; si dhe Renaldo Gecaj, 46 vjeç, banues në Paskuqan.

Nga hetimet rezulton se shtetasit Arben Metaj dhe Sokol Bushi kishin siguruar lëndën narkotike me synimin për ta transportuar atë drejt Tiranës me një mjet tip kamionçinë. Të ndjekur nga specialistë të hetimit të narkotikëve, ata kanë çuar edhe në gjurmët e blerësve në Tiranë Renaldo Gecaj dhe Edi Tafa. Policia sekuestroi në momentin e dorëzimit të lëndës narkotike rreth 50 kg kanabis çokollatë, një automjet frigoferik “Renault”, një autoveturë “Peugeot 407” dhe 7 aparate celularë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë