Lajme

Opera me koncesion? Ministria e Kulturës: Trillime! Po marrim shembuj nga teatrot europianë

Pas shqetësimeve të ngritura nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit,  ndërsa ministrja e Kulturës Margariti deklaroi disa ditë më parë se ishte koha që TKOB të dilte jashtë skemës së shtetit, ka ardhur edhe reagimi nga Ministria e Kulturës, që i cilëson jo vetëm hamendje pabaza, por deri edhe trillime.

“Ndërsa me padurim presim ditën kur me të parën shfaqje të përurojmë ambientet e rikonstruktuara, të nxjerra nga harresa shumëvjeçare, Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke  iu larguar dizinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOBAP jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës”, thuhet në njoftimin e  Ministrisë së Kulturës, ndërsa Margariti gjatë prezantimit të katër vjeçarit të TKOB-it, nën drejtimin e Zana Çelës do të shprehej se  “...duhet të dalë jashtë skemës  së kësaj varësie totale nga shteti.  Në  asnjë vend tjetër nuk gjejmë formula të tilla, me një investim të tillë të qeverisë, një rrugë të hapur,  infrastrukturë  të shtruar, të ndryshojë  mentaliteti në të gjithë vendin.  Le të jetë kjo shtëpia e parë,  ku kjo konkurrencë të marrë jetë”.

Sipas Ministrisë së Kulturës, kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve.

“Nga ana tjetër, një nga misionet e Ministrisë së Kulturës është nxitja dhe promovimi i talenteve të reja. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në vite të drejtuesve të këtij institucioni, për të përfshirë në produksionet e tyre të rinj të talentuar, kjo ka qenë e vështirë, pikërisht nga mungesa e të ardhurave dhe strukturave të kufizuara”, thuhet më tej në reagimin e ministrisë, që e sheh rritjen e  konkurrencës si një  aspekt të  shëndetshëm, i cili do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë artistike të institucionit.

“Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit. Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor”, vijohet më tej, ndërsa theksohet investimi në infrastrukturë. Ashtu siç e bëri të ditur edhe vetë drejtoresha Çela, bashkë me Ministrinë e Kulturës është hartuar një plan që rishikon kuadrin  ligjor dhe ekonomik të tarifave dhe çmimeve të reduktuara për kategori të ndryshme shoqërore.

“Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetëgjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike”, thuhet në njoftim, ndërsa edhe Çela pak ditë më parë e ngriti shqetësimin e raportit të menaxhimit të të ardhura 70 me 30 përqind, nga Teatri. Çela vuri në dukje edhe faktin që në katër vite, TKOB ka vënë shfaqje vetëm katër muaj në godinën e tij dhe ka gjeneruar pak të ardhura nga biletat, pasi pjesa më e madhe e shfaqjeve kanë qenë “open air”.

Nga Ministria garantohet se si i shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë europianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme.“Pandemia, kjo krizë e madhe botërore vendosi sfida të reja, por nxori në pah edhe më fort, rolin kyç që ka shteti në skemat menaxheriale të teatrove në mbarë botën.Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve”, përfundon njoftimi, por në fjalën e saj zonja Çela e vuri theksin fort tek mbledhja e fondeve për realizimin e shfaqjeve nga sponsorë dhe nga rëndësia që i kanë dhënë marketingut në këta katër vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë