Vrasja e minoritarit grek në Bularat të Gjirokastrës shkaktoi reagime të shumta. Në një deklaratë për shtyp, organizata politike e Minoritetit Grek “OMONIA” ka shprehur shqetësimin për ngjarjen e rëndë.
Omonia akuzon policinë shqiptare, pasi nuk i është përmbajtur rregullores, ndërkohë që shigjeton edhe qeverinë shqiptare për prodhimin e “klimës së dhunës psikologjike”, sipas tyre kundër minoritetit etnik grek.
“Pikëllimi dhe indinjata janë ndjenjat që përjeton Minoriteti Etnik Grek pas fundit tragjik të aksionit të forcave të specializuara të policisë ku mbeti i vrarë banori i Bularatit, Konstantinos Katsifas. Sipas vlerësimeve të para, forcat policore duke anashkaluar rregullat e paralizimit të personit të vetmuar finalizuan ekzekutimin e tij", thekson OMONIA.
"Është e rëndësishme të referohet se të gjitha ngjarjet ndodhën, ndërkohë që vazhdonin veprimtaritë për Evenimentin Kombëtar të JO-së (OXI) greke dhe në Ceremoninë Përkujtimore në Bularat ekzistonte përfaqësim zyrtar i qeverive shqiptare dhe greke. Natyrisht nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje të shkeljes të së drejtës bazë të njeriut, që është e drejta e jetës. Bëhet fjalë për një klimë të tërë të dhunës psikologjike që ushtrohet kundër Minoritetit Etnik Grek”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndërkohë, kreu i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që ka vizituar shtëpinë e ekstremistit grek është shprehur se duhet të zbardhen të gjitha pikëpyetjet e ngjarjes.
Ai gjithashtu tha se për ngjarjen duhet një ekspertizë mjeko-ligjore greke.
“Të zbardhen pikëpyetjet se si nisi ngjarja dhe se si u vra viktima. Policia ka vendosur vetë veten në diskutim për këtë që ndodhi. Duhet ekspertizë mjeko-ligjore greke. Vetëm tek Kim Jong-un ndodh që policia të ekzekutojë qytetarët”, është shprehur Dule.
“Dëshirojmë të theksojmë thirrjen tonë për gjakftohtësi dhe vendosmëri që këto çështje duhet zbardhur në të gjitha detajet dhe me gjithë transparencën e mundshme. Ka shumë pikëpyetje si nisi konflikti, nga u provokua. Cilat ishin rrethanat, nga kush u mor vendimi për të dhënë një zgjidhje fatale në një kohë që ekziston dhe alternativa të tjera siç na kanë thënë ekspertët që jemi konsultuar”, tha Dule.
Nderkaq, drejtori i policisë greke ka telefonuar homologun e tij shqiptar Ardi Veliu. Mësohet se kreu i Policisë së Shtetit i ka sqaruar atij se nuk ka pasur ulje të flamurit grek nga ana e policisë shqiptare.
“Policia shqiptare ka respektuar të gjitha procedurat. Kemi nisur hetimet por çdo gjë është e rregullt”, i ka thënë Veliu homologut grek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.