Futboll

Olimpiada/ Brazili merr hak ndaj Gjermanisë, keq Franca dhe Argjentina (video)

Ende nuk është zhvilluar ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Tokio 2020, por disa aktivitete kanë nisur tashmë, si për shembull, futbolli. Kanë zbritur në fushë skuadrat e mëdha, por kuptohet, me një përbërje olimpike, pra jo me futbollistët më të mirë.

Olimpiada e futbollit ka nisur me shenjën e Frenk Kesi, mesfushorit të Milanit, i cili ka udhëhequr Bregun e Fildishtë në fitoren 2-1 ndaj Arabisë Saudite, në ndeshjen inauguruese të Grupit D, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania dhe Brazili.

Ka zhgënjyer Spanja në Grupin C, pavarësisht se ka në skuadër 6 lojtarë nga Europiani, mes të cilëve edhe Dani Olmon dhe Pedrin. Ndaj Egjiptit spanjollët u ndalën te shtylla e Sebajos dhe barazuan 0-0. Një humbje të rëndë, 4-1, ka pësuar Franca ndaj Meksikës në Grupin A. Një ndeshje e gjitha për t’u harruar për francezët.

Brazili kampioni olimpik në fuqi ka dhënë menjëherë një mesazh për rivalët, duke mundur 4-1 Gjermaninë. Në “hakmarrjen” ndaj gjermanëve, për 45 minuta brazilianët i fshehën topin kundërshtarit, të udhëhequr nga i përjetshmi Dani Alvesh, 38 vjeç, që synon të shtojë edhe medaljen me 5 rrathë në trofetë e shumtë që ka fituar, rreth 50.

Riçarlison, sulmuesi i Evertonit, shënoi 3 gola dhe mori topin me vete pas ndeshjes. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gardine tregoi nivelin e zakonshëm teknik dhe ishte vrasëse në kundërsulme. Kunja madje humbi edhe një penallti. Amiri shënoi golin e nderit për Gjermaninë, që mbeti me 10 lojtarë pas minutës së 63-të, sepse kapiteni Arnold u ndëshkua me karton të kuq. Ake rihapi ndeshjen pak minuta para fundit, pasi Brazili shpërdoroi shumë, por Paulinjo mbylli gjithçka me golin e 4-t në shtesë.

Ka zhgënjyer skuadra tjetër e madhe amerikanojugore, Argjentina, që është mundur 0-2 nga Australia. Shënuan Uells dhe 19-vjeçari Tilio sapo kishte hyrë në fushë për australianët. Afrika e Jugut, që u vu në qendër të vëmendjes këto ditë, pasi dy lojtarë i rezultuan pozitivë me Covid, rezistoi 71 minuta ndaj Japonisë dhe më pas pësoi një gol nga Kubo i Real Madrid. Ka fituar Rumania 1-0 ndaj Hondurasit, falë një autogoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë