Motosport

Okon fiton garën thriller në Hungari, në pod edhe Fetel dhe Hemilton

Në Hungari është zhvilluar një garë e paparë ndonjëherë në Formula 1, në kuptimin e plotë të fjalës. Shumë situata të ndryshme, shumë vlerësime për t’u bërë, shumë të papritura në një garë të vetme, ku fitoi Okon me Alpine.

Karamboli në start, rinisja me një makinë të vetme, atë të Ljuis Hemiltonit me goma të mesme për terren të lagësht, ndërsa të tjerët preferuan të niseshin nga “pit lane” me goma për terren të thatë. Në fund të kësaj rulete me 4 rrota fitoi Esteban Okon, suksesi i parë në karrierë për të dhe i pari në histori për Alpine. I dyti doli Sebastian Fetel dhe i treti Ljuis Hemilton, që ka marrë kryesimin e klasifikimit, pasi Vershtapen doli i 10-i. I katërti Karlos Sainz me Ferrarin e vetme në garë, sepse Leklerk u tërhoq.

Botas dhe Stroll gabuan në start dhe nxorrën nga pista edhe Leklerk, Norris dhe Perez. Riçardo dhe Vershtapen u detyruan ta fillonin garën nga fundi dhe me makina të dëmtuara. Flamuri i kuq në xhiron e tretë, në të katërtën gara rinis me një rebus, sepse pista u tha. Pilotët e kuptuan këtë, por Hemilton vendosi të vazhdonte me goma të mesme, të gjithë të tjerët në bokse.

Vetëm një makinë në pozicionin e nisjes dhe dukej vërtet një pamje surreale. Më pas edhe Hemilton vendosi gomat e thata dhe u rikthye në pistë i 14-i, 18 sekonda pas Okon. Pastaj filluan parakalimet nga kampioni i botës. Përpara komandojnë Okon dhe Fetel. Në mes të garës, në vend të tretë një tjetër kampion bote, Fernando Alonso.

Momenti kur makinat dolen nga pista ne start. Gazeta Si, 1 gusht 2021

Spanjolli pati shansin edhe të kryesonte, kur bënë “pit stop”-n Okon dhe Fetel. Ritmi i këtyre të dyve është i pakapshëm për të gjithë, përveç Hemiltonit, që nisi një garë të vetën, duke tentuar rikuperimin e vendeve.
Ishin një thriller 20 xhirot e fundit, me Okon dhe Fetel që diskutuan fitoren. Sainz në vend të tretë dhe Alonso e Hemilton më pas. Spektakolar dueli mes këtyre të dyve, me Hemiltonin që e kaloi vetëm për një gabim të spanjollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë