Lajme

Oketa e Biberaj: Pse u rikthyem

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, përveç disa largimeve të rëndësishme, ka shënuar edhe rikthime “Vip”. Mes tyre janë dy emra që kanë spikatur me maturinë e tyre politike, edhe pse ishin bashkuar me partinë e ish-presidentit Bamir Topi.

Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, kanë marrë miratimin nga kryedemokrati Basha për të dhënë ndihmën e tyre në rikthimin e PD në pushtet.

Në një bisedë telefonike për emisionin “Kjo Javë”, Oketa deklaroi se rikthimi i tij në politikë dhe në PD lidhet me zhvillimet e fundit politike, por më kryesorja tha ai ishte protesta e studentëve, e cila shtoi ai ka shtuar shpresat e shoqërisë shqiptare.

Ai komentoi gjithashtu edhe disa zëra, të cilët flasin se Gamend Oketa do të jetë kandidati për të sfiduar kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon në zgjedhjet lokale, por Oketa tha se nuk është e vërtetë një gjë e tillë.

“Motivet që më bënë të rishikoj, do të përpiqem t’i përmbledh shkurt. Së pari, ishin zhvillimet politike në vend. Lëvizja e studentëve dhe protesta më ktheu besimin se mund të ndryshojë situata, protesta e banorëve të Astirit si dhe ajo e Teatrit Kombëtar. Unë besoj se mjafton të përmendim rastin e fundit të Unazës së Re, që nga buxheti do të avullonin 30 milionë euro. Miqtë e mi më të mirë janë tek e djathta. Këto ditë takimet me ta u shtuan”, tha Oketa.

Ish-deputeti demokrat pohoi se me Bashën ka raporte miqësore dhe një komunikim normal e qytetar. “Unë jam rikthyer me shpresën dhe besimin, pasi e kam parë politikën si një lojë skuadre. Nuk ka lidhje me aferë apo pazar personal. Unë jam kthyer me dëshirën për të kontribuar dhe për të bërë mirë. Në një moment që vendi ka nevojë, opozita ka nevojë”.

Ndërsa I rikthyeri tjetër, Aleksandër Biiberaj, u shpreh se është rikthyer në shtëpinë e tij politike pas ftesës së marrë nga kreu i partisë Basha.

“Propozimin ma bëri zoti Basha. Duke respektuar të gjithë anëtarësinë e PD-së, mendoj se opozita ka nevojë gjithmonë për kontribute të tjera dhe mendoj se kam eksperiencë që do ta vë në shërbim të PD-së dhe vendit. Nuk pata asnjë ngurrim për ta pranuar ftesën e zotit Basha. Kjo është shtëpia ime politike”, - tha Biberaj për TCH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë