Bota

OKB miraton rezolutën në favor të anëtarësimit të Palestinës! Shqipëria abstenon, SHBA kundër!

Nga Gazeta 'Si'-Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë që njeh Palestinën si të kualifikuar për t’u bërë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara dhe rekomandon që Këshilli i Sigurimit “të rishqyrtojë çështjen në mënyrë të favorshme”.

Drita jeshile nga Këshilli i Sigurimit, ku SHBA vendosi veton muajin e kaluar, është një kusht i domosdoshëm për çdo miratim të plotë. Teksti mori 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime përfshirë edhe Shqipërinë.

“Ju keni hapur Kombet e Bashkuara për nazistët modernë,” tha ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan, pak para votimit.

Shqipëria, Italia, Britania e Madhe, dhe Gjermania abstenuan për rezolutën e OKB-së për Palestinën, kurse shtetet e bashkuara votuan kundër.

Votë abstenimi kishin edhe Bullgaria, Austria, Kanadaja, Kroacia, ishujt Fixhi, Finlanda, Gjeorgjia, Letonia, Lituania, Ishujt Marshall, Holanda, Maqedoninë e Veriut, Moldavia, Paraguaji, Rumania, Vanuatu, Malavi, Monako, Ukraina, Suedia dhe Zvicra.

Kurse kundër perveç SHBA votuan Izraeli, Palau, Nauru, Mikronezia, Papua Guinea e Re, Hungaria, Argjentina dhe Republika Çeke. Që një rezolutë e OKB të hyjë në fuqi duhet që patjetër ajo të miratohen nga Këshilli i Sigurimit, pa veto.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara Gilad Erdan ka copëtuar “një kopje të kartës së OKB-së”.

Duke qëndruar përpara asamblesë në Nju Jork, z. Erdan mbajti një grirëse të vogël dhe vendosi tre copa letre në të – të cilat kishin të shkruar fjalët “karta e Kombeve të Bashkuara”.

Ai u dëgjua duke thënë: “Po e grisni kartën e OKB-së… Turp për ju”.

Veprimet e tij erdhën pak çaste përpara se organi botëror prej 193 anëtarësh të miratonte rezolutën, duke i dhënë Palestinës “të drejta dhe privilegje të reja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë