Njerez

OKB: 45,000 femra janë vrarë nga një anëtar i familjes në 2021-in, 2500 në Europë

Të dhënat 'alarmante' në mbarë botën tregojnë se rreth 45 mijë femra janë vrarë në një vit nga bashkëshorti, partneri apo një i afërm tjetër.

Më shumë se pesë gra dhe vajza vriteshin çdo orë nga një anëtar i familjes në vitin 2021, sipas shifrave të reja të OKB-së.

Një raport, i publikuar të mërkurën, tregoi se 45,000 femra, më shumë se gjysma (56%) e 81,100 të vrarave vitin e kaluar në mbarë botën u vranë nga bashkëshorti, partneri ose të afërmit e tyre.

UN Women dhe Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin thanë se shifrat ishin “shqetësuese”, dhe numri i vërtetë i vrasjeve ku femrat vriten për shkak të gjinisë së tyre ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Afërsisht katër në 10 vdekje në vitin 2021 nuk u llogaritën si femicide sepse nuk kishte të dhëna të mjaftueshme dhe shifrat zyrtare për femicidin kanë mbetur kryesisht të pandryshuara gjatë dekadës së fundit.

Vitin e kaluar, numri më i lartë i vrasjeve nga të afërmit ishte në Azi, me 17,800 vdekje ndërsa në Europë ishin regjistruar 2500 vdekje nga 13 vende që u bënë pjesë e studimit. Në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri u analizuan rreth 140 vendime gjyqësore të formës së prerë për vrasje të femrave dhe u gjurmuan edhe mbi 100 raste të femicideve në periudhën 2020 deri në 2022, raste që u analizuan përmes raportimit mediatik.

Megjithatë, hulumtimi tregoi se femrat në Afrikë ishin më të rrezikuara për t'u vrarë nga anëtarët e familjes.

Fillimi i pandemisë Covid-19 në vitin 2020 përkoi me një rritje të konsiderueshme të femicideve në Amerikën e Veriut dhe Europën perëndimore dhe jugore, sipas hulumtimit. Të dhënat nga 25 vende në Europë dhe Amerikë tregojnë se rritjet ishin kryesisht për shkak të vrasjeve të kryera nga anëtarë të familjes, përveç burrave dhe partnerëve.

“Për të ndaluar të gjitha format e vrasjeve të femrave, ne duhet të numërojmë çdo viktimë, kudo, dhe të përmirësojmë të kuptuarit e rreziqeve, në mënyrë që të mund të hartojmë masa parandaluese më efektive”, tha Ghada Waly, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.

“Dhuna në familje ende shihet zakonisht si një çështje private ‘familjare’ në disa pjesë të botës”, thotë Barbara Jimenez-Santiago, avokate për të drejtat e njeriut në organizatën ndërkombëtare Equality Noë.

 “Policia dhe prokurorët shpesh nuk i marrin seriozisht rastet dhe fajësimi i viktimave është i përhapur. Kjo i pengon gratë dhe vajzat të raportojnë dhunën. Dhunuesit mbeten të pandëshkuar dhe kjo nxit një kulturë mosndëshkimi që përjetëson abuzime të mëtejshme”.

Shumica dërrmuese (81%) e vrasjeve në mbarë botën kryhen kundër meshkujve, por ata janë më të rrezikuarit të vriten nga dikush jashtë familjes së tyre. Nga të gjitha viktimat meshkuj në vitin 2021, vetëm rreth 11% u vranë nga një partner ose i afërm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë