Ekonomi

OECD: Bankat qendrore të vazhdojnë rritjen e normave të interesit për të luftuar inflacionin

Bankat qendrore duhet të vazhdojnë luftën kundër inflacionit me norma të larta interesi, pavarësisht frikës së një përplasjeje bankare globale, sipas raportit më të fundit të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik(OECD).

OECD tha se ishte e shqetësuar që inflacioni mbetet i lartë në shumë nga 39 vendet anëtare të saj dhe u kërkoi bankave qendrore të vazhdojnë me rritjen e normave të interesit kur është e nevojshme.

Álvaro Pereira, kryeekonomisti i përkohshëm i organizatës me bazë në Paris, tha se kompanitë e shërbimeve po vazhdonin të nxisin rritjen e fortë të çmimeve, edhe pse çmimet e energjisë me shumicë dhe ushqimeve po bien.

“Rritja e çmimit të shërbimeve ka mbetur e lartë, duke nxitur inflacionin bazë, prandaj ne besojmë se bankat qendrore duhet të qëndrojnë vigjilente,” tha ai.

Disa ekonomistë kanë thënë se rritja e mëtejshme e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore, duke përfshirë Bankën e Anglisë, do të dëmtojë stabilitetin e sistemit financiar global, i cili është mësuar me kosto ultra të ulëta të huamarrjes që nga kriza financiare e vitit 2008.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha të enjten pasi njoftoi një rritje me 0.5 pikë përqindje të normës së interesit që mbulon Eurozonën, se lufta kundër inflacionit mbetet një prioritet. Ajo tha se banka ka mjetet financiare dhe rezervat e nevojshme nëse bankat evropiane kanë nevojë për burime shtesë.

OECD shton se të gjitha ekonomitë kryesore të BE-së do të zgjerohen në vitin 2023 me një ritëm më të fortë se sa organizata kishte parashikuar vitin e kaluar, duke lënë Britaninë dhe Rusinë anëtaret e vetme të grupit të shteteve të pasura (G20) që do të pësojnë një rënie.

Në raportin me “një rimëkëmbje e brishtë”, OECD tha se priste të shihte një rikthim të mëtejshëm të besimit të konsumatorit dhe prodhimit të biznesit këtë vit në të gjithë vendet e saj anëtare – të cilat përfshijnë vende të tjera të G20 si Meksika, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, por jo Rusia, si dhe shtete më të vogla, anëtare të BE-së.

Ka “shenja më pozitive” tani që çmimet e ushqimit dhe energjisë po bien sërish dhe ekonomia kineze është rihapur plotësisht, shtoi organizata.

Megjithatë, rimëkëmbja e ngadaltë nga pandemia e koronavirusit do të vazhdojë ndërkohë që bankat qendrore i mbajnë normat e interesit të larta dhe lufta në Ukrainë vijon.

Vitin e kaluar, organizata tha se Britania e Madhe do të ishte ekonomia më e goditur nga lufta në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë