Ne rrjet

OBSH: Situata në Itali nën kontroll

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Europë të ruajnë qetësinë, duke theksuar se situata nga shpërthimi i virusit në Itali, është nën kontroll.
"Nuk ka nevojë për panik. Autoritetet italiane po zbatojnë masa që janë në përputhje me strategjinë globale të koronavirusit"-tha Hans Kluge, drejtori i OBSH për Europën.
Ndërkohë sot, kryeministri italian Xhuzepe Conte do të takohet në Napoli me Presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar për përhapjen e koronavirusit. Ai ka paralajmëruar se nuk do të pranojë mbylljen e kufijve dhe se nuk do të lejojë diskriminimin e italianëve në Europë.

Në të njëjtën linjë është edhe Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio. Ai tha se "të gjithë pacientët e spitalit Spallanzani në Romë janë shëruar dhe se Italia është një vend i sigurtë". "Objektivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme - tha Di Maio- është të luftojmë lajmet e rreme që mund të ndikojnë në vendimet partnerëve tanë në lidhje me udhëtimet drejt Italisë.”

Policët me maska në Milano, Gazeta Si, 2020

Roma ka rritur besimin mes mjekëve teksa ka shëruar tre të infektuar, një çift kinez dhe një italian përmes trajtimit me një ilaç eksperimental të aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetit në udhëzimet për terapitë që duhen përdorur te pacientët me Covid-19. Bëhet fjalë për remdesivir, një antiviral i prodhuar kundër virusit Ebola.

Remdesivir- i është një antiviral i prodhuar nga Gilead Sciences, i studiuar sa i takon luftës kundër Ebolës, që duket se po shfaq gjurmë pozitive edhe në përballjen me koronavirusin. Ilaçi në fjalë do të përdoret edhe në Kinë, veçanërisht në Wuhan ku gjenden rastet më të rënda dhe rezultatet e mjekimit do të shpallen në prill.

Numri i të infektuarve në Itali ka mbërritur në 456, 131 raste më shumë se një ditë më parë. Rajonet më të rrezikuara nga përhapja e virusit deri tani janë dymbëdhjetë: Lombardia (me 305 raste), Veneto (71), Emilia Romagna (47), Liguria (16), Piemonte, Lazio, Marche dhe Sicilia (3), Toscana (2), Alto Adige, Campania dhe Puglia (1). Numri i viktimave vazhdon të mbetet 12 të gjithë të moshës së tretë dhe me probleme të mëparshme shëndetësore.

Por kryeministri Conte thotë se jeta në Itali duhet të vazhdojë. “Masat e dakorduara janë shumë rigoroze por ato varen edhe nga evolucioni i virusit, prandaj ne do t'i rishikojmë pas një jave”, deklaroi kreu i qeverisë italiane.

Njerëzit me maska në Milano, Gazeta Si, 2020

Në një apel drejtuar kryeministrit Conte, kryebashkiaku i Milanos Xhuzepe Sala kërkoi çlirimin e metropolit nga masat shtënguese pasi sipas tij Milano do humbasë identitetin e tij.
Dje në mbrëmje u shpërnda edhe lajmi i mirë i një fëmije të lindur i shëndetshëm nga një nënë e infektuar nga koronavirusi. Mjekët e spitalit i vendosën atij emrin Fortunato duke parë kohën dhe kushtet e vështira të ditës së ardhjes në jetë.
Mjekët thonë se fëmijët nuk janë imunë ndaj infeksionit, por të dhënat në dispozicion tregojnë se rrjedha e sëmundjes te ata duket se është mjaft e butë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë