Shendet

OBSH: Mbi 7% e familjeve shqiptare janë varfëruar më shumë për shkak të kostove mjekësore

Nga Gazeta Si- Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se miliona njerëz në Evropë po varfërohen më shumë për shkak të kostove të shëndetit mjekësor. Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria, ku sipas të dhënave, mbi 7 për qind e familjeve në Shqipëri u varfëruan më tej pas kostove të shpenzimeve mjekësore.

Në Belgjikë, Irlandë, Spanjë, Slloveni dhe Britani, numri i familjeve të varfra ose shumë të varfra pas kostove mjekësore është nën 1%.

Në anën tjetër, kjo shifër rritet në mbi 7% në Shqipëri, Armeni, Bullgari, Serbi dhe Ukrainë.

Këtë javë, udhëheqësit e shëndetësisë nga OBSH po mblidhen në Estoni për të studiuar lidhjen midis pasurisë dhe shëndetit.

Për të shënuar këtë rast, OBSH ka publikuar një studim të ri që shikon sistemet e kujdesit shëndetësor në 40 vende evropiane, duke u fokusuar në gjendjen e tyre para pandemisë.

Përfundimet e përgjithshme janë veçanërisht të dobëta, duke treguar se miliona evropianë po përjetojnë vështirësi financiare për shkak të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor.

Fenomeni është nxitur veçanërisht nga pritshmëria që pacientët duhet të bëjnë pagesa paraprake, nga xhepi, edhe nëse këto tarifa do të rimbursohen në një fazë të mëvonshme.

Prandaj, shumë pacientë heqin dorë nga trajtimi, që do të thotë se Evropa po përjeton një vëllim të madh nevojash mjekësore të paplotësuara.

OBSH i klasifikon shpenzimet si 'katastrofike' kur shuma nga xhepi që paguan një familje për kujdesin shëndetësor tejkalon 40% të kapacitetit të saj për të paguar për faturat mjekësore.

Shkalla e shpenzimeve katastrofike shëndetësore varion në të gjithë kontinentin, por situata është më kritike në Armeni, Bullgari, Gjeorgji, Letoni, Lituani dhe Ukrainë, ku mbi 14% e familjeve janë të prekura nga ky problem.

Vendet që kanë incidencën më të ulët të shpenzimeve ‘katastrofike’ shëndetësore janë Irlanda, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe.

Në çdo vend të studiuar, 20% e familjeve më të varfra përbëjnë të paktën 40% të atyre me shpenzime katastrofike shëndetësore dhe ky numër rritet në mbi 70% në Kroaci, Çeki, Francë, Hungari, Irlandë, Luksemburg, Mal të Zi, Serbi, Sllovaki, Suedi, Zvicër, Turqi dhe Ukrainë.

Ndërsa shifrat mund të shpjegohen pjesërisht duke marrë parasysh të ardhurat më të ulëta të familjeve më të varfra, ka një arsye shtesë pse shpenzimet katastrofike janë më të përhapura në mesin e këtij grupi, sipas OBSH-së.

Për shkak të papërballueshmërisë së trajtimeve, familjet e varfra kanë më shumë gjasa të vonojnë kërkimin e kujdesit mjekësor profesional që do të thotë se mund t’u duhet t’u drejtohen shërbimeve të urgjencës për t’u marrë me shqetësimet e rënduara.

Përveç matjes së shpenzimeve katastrofike, OBSH shikoi përqindjen e familjeve të varfra ose shumë të varfra nga faturat mjekësore.

"I varfëruar" do të thotë se buxheti i një familjeje nuk shtrihet më për të përmbushur nevojat bazë, si ushqimi ose ngrohja, pasi të paguajë për trajtimin mjekësor.

Nga ana tjetër, "i varfëruar më tej" është një emërtim që përdoret për të përshkruar familjet që janë tashmë nën pragun e nevojave bazë dhe që pësojnë një pagesë të kujdesit shëndetësor nga xhepi, gjë që më pas i shtyn ato më tej në varfëri.

Cilat procedura mjekësore po shkaktojnë shpenzime katastrofike?

Në 40 vendet e studiuara, vështirësitë financiare shkaktohen kryesisht nga tarifat që lidhen me barnat ambulatore, të cilat përbëjnë mesatarisht 38% të pagesave.

Në vendet me një numër më të ulët të shpenzimeve shëndetësore, shpenzimet kryesore janë kujdesi dentar (26%), i ndjekur nga produktet mjekësore (22%) dhe ilaçet ambulatore (19%).

Nga ana tjetër, në vendet ku ka një lidhje më të madhe midis paqëndrueshmërisë financiare dhe kujdesit shëndetësor, shkaqet kryesore të shpenzimeve katastrofike janë ilaçet ambulatore (55%), të ndjekura nga kujdesi spitalor (13%), kujdesi dentar (10%) dhe produktet mjekësore (8%).

Pas publikimit të raportit, Dr Hans Henri P Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, komentoi: "Për miliona njerëz në Europë, kujdesi shëndetësor falas ose i përballueshëm është thjesht një ëndërr".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë