Shendet

OBSh do të rishikojë sigurinë e vaksinës AstraZeneca

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të rishikojë sigurinë e vaksinës anti-Covid të kompanisë AstraZeneca. Kjo mbledhje pason raportimet shqetësuese të dhjetra vendeve, kryesisht europiane, që kanë pezulluar procesin e vaksinimit me dozat e kësaj kompanie nën dyshimet për efekte anësore fatale.

Ekspertët e OBSh-së janë mbledhur këtë të martë për të dalë me një vendimmarrje tjetër në lidhje me sigurinë e kësaj vaksine. Mbledhja mbërrin tre ditë pasi vetë OBSh doli me një deklaratë ku bënte thirrje për të vijuar procesin e vaksinimit me dozat e AstraZenecas, duke u shprehur se nuk ka asnjë provë që të lidhë rastet e vdekjeve të personave të vaksinuar me efektet anësore të produktit të kësaj kompanie.

Pyetja kryesore që duhet t’i përgjigjen ekspertët e OBSh-së është nëse vdekjet e raportuara pas vaksinimit me AstraZenecan janë rastësi dhe që gjithsesi do të ndodhnin edhe nëse personat që kanë ndërruar jetë nuk do të vaksinoheshin, apo doza e vaksinës e ka përshpejtuar vdekjen e tyre?

Deri më tani më shumë se 17 milionë persona kanë marrë vaksinën AstraZeneca në Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian. Në total bëhet fjalë për rreth 37 raste zyrtare vdekjesh pas marrjes së vaksinës, që të gjitha në Europë dhe me të përbashkët se në të gjitha rastet tek viktimat është vënë re mpiksja e gjakut dhe tromboza.

Për të diskutuar mbi sigurinë e vaksinës së AstraZenecas këtë të martë mblidhet edhe Agjencia Europiane e Barnave (EMA), që më herët e ka autorizuar atë për përdorim. Në këtë mbledhje, ekspertët nuk përjashtojnë një pezullim të autorizimit për këtë produkt, deri në qartësimin e të gjitha dyshimeve për sigurinë e saj.

Vaksina AstraZeneca u autorizua për përdorim nga OBSh vetëm një muaj më parë, duke i hapur rrugë mekanizmit të Covax, platformë që synon furnizimin me doza të vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim. Në kuadër të kësaj platforme, në Shqipëri mbërritën fundjavën që kaloi rreth 38 mijë vaksina AstraZeneca.

Aktualisht janë 11 vende të europiane që kanë pezulluar procesin e vaksinimit me dozat e AstraZenecas, përfshirë këtu Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën. Vende të tjera, si Austria, nuk kanë bllokuar të gjitha dozat e AstraZenecas, por seri të caktuara të saj.

Ndërkohë, Belgjika, Polonia, Çekia dhe Ukraina kanë deklaruar se do të vazhdojnë vaksinimin me AstraZenecas, ndërsa në Tajlandë kryeministri Prayuth Chan-ocha u bë personi i parë që mori dozën e kësaj kompanie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë