Pak nxënës dhe pak mësues: Kristiano Ronaldo e ka fiksim të stërvitet me sportistë të shkëlqyer, apo me ata që kanë qenë të mëdhenj në disiplinat e tyre. Të vrapojë më shpejt se të gjithë, të kërcejë më lart se të gjithë dhe të rezistojë më shumë se të gjithë kundërshtarët. Portugezi ka nevojë për të gjitha këto për të qenë ai që është, për më tepër në moshën 34-vjeçare.
Mes cilësive që e kanë bërë CR7 lojtarin më dominues, bashkë me Lionel Mesin, të këtij fillim shekulli, ajo atletike ka një rëndësi thelbësore. Stërvitjes konstante prej një maniaku i shtohet edhe kontributi i specialistëve të disiplinave të tjera, të cilët i ofrojnë një tjetër pikëpamje futbollistit. Është, si të thuash, një lloj shkëmbimi sekretesh mes tij dhe kampionëve të tjerë për të arritur më të mirën. Ka qenë kështu me një yll akoma në aktivitet si tenisti Novak Gjokoviç, por Ronaldo ka dëshirë të dëgjojë edhe këshillat e një ish-sprintieri kampion si Francis Obikuelu. Po ashtu, dëshiron edhe të kryqëzojë dorezat me Genadij Golovkin, kampionin aktual të boksit “IBF”.
Francis Obikuelu është portugez si Ronaldo, por i natyralizuar. Është nigerian me origjinë dhe i ka sjellë Portugalisë një medalje argjenti olimpike në 100 metra, atë të “Athinë 2004”. Rekordet personale tregojnë shumë për vlerën e tij, 9″86 në 100 metra dhe 19″84 në 200 metra. Kur ka kohë, Kristiano Ronaldo fluturon drejt Lisbonës, në marrëveshje me Juventusin, për t’u takuar me mbretin e shpejtësisë që e ndihmon për të bërë progres.
Novak Gjokoviç dihet shumë mirë kush është, është një zotëri që ka 16 tituj Slam. Në fund të 2019-ës ai dhe Kristiano u takuan në një palestër në Dubai dhe në këtë rast juventini ishte më shumë një mesues se një student, të paktën për kërcimin së larti. Sapo kishte shënuar atë gol ndaj Sampdorias dhe po i mësonte Gjokoviçit mënyrën më të mirë për t’u shkëputur nga toka. Po boksi? Atletika ka të bëjë deri në një farë pike, ndërsa takimi me boksierin Golovkin është bërë më shumë për qëllime promocionale. Megjithatë, Ronaldo ka nevojë edhe për disa reflekse që kanë të bëjnë me dyluftimin “trup më trup”, për të mposhtur mbrojtësit. Prandaj me Golovkin ai ka punuar më shumë për reflekset.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.