Ngjarje

“O ba dorëzohu”, lutja e djalit të 71-vjeçarit dhe shokut të ngushtë para se të ekzekutohej nga Renea

"O ba dorëzohu" - kjo ishte lutja në telefon e të birit drejtuar Lefter Zhidriut, të cilin policia ja nxori në telefon gjatë pesë orëve negociata. Djali i 71 vjeçarit i cili është fëmija nga një martesë e mëparshme e viktimës u kontaktua nga policia në telefon, por edhe atë ai e refuzoi. Një burim i gazetës “Si” pohoi se mes shumë telefonatave dhe përpjekjeve për ta nxjerrë të padëmtuar, Lefter Zhidriut i’u kalua në telefon edhe shoku i ngushtë që jeton në Elbasan me të cilin ai pinte kafe. "Dorëzohu, dil Lefter ose do vij unë lart"- i tha në telefon shoku i tij- citoi një burim pranë policisë së Elbasanit, por ai ju përgjigj- "Provo të ngjitesh, do t’i hedh edhe ty trutë në erë".
Shpërthimi i 71 vjeçarit nuk shpjegohet ende nga negociatorët që përpara se të nisnin bisedat për dorëzimin e tij pyetën personat që ai frekuentonte. “Ai ishte një ish ushtarak, që ka punuar në Uzinën e Mjekësit. Në vitin 1989 ai u zhvendos nga Libohova prej nga është në Qytetin e Elbasanit,”- përshkruan më tej burimet për gazetën “Si”.

I martuar tre herë dhe me tre martesa të dështuara, viktima vazhdonte ta kishte gjendjen civile në Xarrë të Sarandës. Që kur kishte dalë nga radhët e ushtrisë, Lefter Zhidriu punonte si gomist në Elbasan dhe ndërkohë bashkëjetonte me 45 vjeçaren.
“Ne e pyetëm se çfarë kërkonte, por ai i bindur nga mediat se kishte vrarë dy persona, refuzoi të dorëzohej”- shtoi më tej një zyrtar i policisë së Elbasanit, sipas të cilit viktima deklaroi “nuk dorëzohem, kam mbaruar punë, kam vrarë njerëz”.

Por si nisi ngjarja
Të enjten një grua me vajzën për dore u paraqit në Policinë e Elbasanit. Gruaja denoncoi bashkëshortin për dhunë
"Ai është bërë i dhunshëm, më pyeti ku je"
Policia e Elbasanit tregon për gazetën “Si” se gruaja u pyet nëse kishte armë në shtëpi i shoqi dhe ajo u përgjigj jo. Si një ditë normale, tre oficerë të patrullave u njoftuan për ta shoqëruar në komisariat 71 vjeçarin. Tre oficerët e patrullave, njëri prej të cilëve trokiti në derën e katit të dytë në shtëpinë e Zhidriut e njoftoi “policia jemi”- thuhet në procesverbal. Por menjëherë nga brenda shtëpisë është zbrazur një karikator. Falë një mrekullie asnjëri nga oficerët e patrullave nuk u lëndua, ndërsa menjëherë ata kanë njoftuar në radio për shkëmbim me armë zjarri. Kur policia ka ripyetur se përse ajo deklaroi që Zhudriu nuk kishte armë, gruaja tha-“nuk e dija”.
Ajo që ndodhi gjatë pesë orëve në vazhdim në Elbasan u pasua me zbarkim të Reneas dhe snajperëve si dhe negociatorëve që janë shpresa e fundit e një autori të tillë.
"Kur ne hymë në banesë gjetëm tritol fishekë dhe lëndë plasëse të lidhur me bombolën e gazit. E gjitha ishte një tmerr dhe e frikshme përshkroi një ekspert, sipas të cilit çdonjëri në atë operacion policor ka shpëtuar falë një mrekullie. Por ky është një përshkrim jo zyrtar, për ish ushtarakun.
Bëhet me dije nga burime e gazetës “Si” se situata doli jashtë kontrollit nga bindja e të moshuarit i cili përpara se të zbarkonte Renea, doli në ballkon dhe qëlloi me armë duke plagosur lehtë dy persona. Njëri prej tyre ishte një shitës i fruta perimeve që kur dëgjoi të shtënat e pyeti se çfarë po bënte.
“Ai ju përgjigj me armë,”- tha burimi i policisë për gazetën “Si”. Policia e qëlloi me një plumb në kokë 71 vjeçarin i cili refuzoi të dorëzohej dhe për orë të tëra terrorizoi qytetin e Elbasanit teksa shante "shqiptarët nuk bëjnë si njerëz, janë muxhahedinë"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë