Bota

‘Nxitës i kryengritjes’, Trump presidenti i parë që i nënshtrohet dy herë votimit për shkarkim

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Demokratët kanë kaluar pragun për vota të mjaftueshme për të larguar nga posti. 232 anëtarë kanë votuar për të shkarkuar Trump, mes të cilëve janë edhe 10 anëtarë republikanë. Rezoluta e fajësimit akuzon Trump me një artikull të vetëm, “nxitje të kryengritjes”, për rolin e tij në trazirat vdekjeprurëse në Capitol gjatë javës së kaluar.

Edhe pse mandati katër vjeçar i Presidentit Trump skadon në mesditën e 20 janarit, projekt-rezoluta me katër faqe e Dhomës së Përfaqësuesve propozon ngritjen e akuzave për shkarkim duke theksuar se Presidenti Trump ka “demonstruar se ai do të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet të vazhdojë detyrën dhe ka vepruar në kundërshtim të fortë ndaj vetëqeverisjes dhe sundimit të ligjit.”

Projekt-rezoluta citon akuzat e pabazuara të Trump se ai humbi zgjedhjet për shkak të manipulimit të votave dhe parregullsive gjatë numërimit të votave, presionin i tij mbi zyrtarët e zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’ia “gjetur” atij më shumë se 11,000 vota për të përmbysur fitoren e Biden në këtë shtet dhe thirrjet drejtuar mbështetësve të tij në një tubim të mërkurën e kaluar që të marshonin drejt Capitol për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh që mandati i Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtare në qeverinë federale në të ardhmen.

Përpara votimit të rezolutës të martën, zëvendëspresidenti Mike Pence i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte veprime bazuar në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë