Policia e Beratit vijon kontrollin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit.
Policia thotë se ka vënë në pranga administratorin e një firme, i cili ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën.
Në pranga është vënë 26-vjeçari me inicialet D. L., banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”;
Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim.
Në pranga është vënë S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti si dhe është shpallur në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit.
Siç njofton policia, arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.
Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.