Kosova

Nxënësit në veri të Kosovës do të kthehen sërish në bankat shkollore

Viti shkollor në komunat në veri të Kosovës do të fillojë më 1 shtator në institucionet arsimore dhe nuk do të ketë mësim online, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Shkollës së Mesme Teknike në Leposaviq, Sllagjan Radoviç.

Siç tha ai, për këtë janë njoftuar nga administrata e shkollës për Kosovën, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Serbisë. Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë punojnë brenda sistemit serb.

Disa prindër nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës javën e kaluar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehën shqetësimin se viti shkollor mund të fillojë në një format online për “shkaqe sigurie”.

Mirëpo, drejtori Radoviç pohon se bëhej fjalë për “dezinformim” dhe se nxënësit do të kthehen sërish në bankat e shkollës.

“Çdo lloj mësimi tjetër, përveç atij të menjëhershëm, do të ishte i keq, para së gjithash, për studentët”, thotë ai.

Mësimi në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – u ndërpre në fund të majit kur u ngritën tensionet për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale përmes ndihmës së policisë.

Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit u përplasën me anëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Institucionet arsimore në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok janë të vendosura në afërsi të objekteve komunale ku ende ndodhet Policia e Kosovës, ndërsa aty pranë janë edhe pjesëtarët e KFOR-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë