Arsim

Nxënësit e artë të Shqipërisë, të vetëm përballë suksesit

Nga Gazeta Si- Sukseset e nxënësve shqiptarë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare shpesh kthehen në lajme krenarie, me fjalime shpresëplota nga Ministria e Arsimit por pas gjithë kësaj fshihet një realitet më pak i dukshëm dhe i hidhur: nuk bëhet asgjë për të mbajtur këto talente dhe për ti kthyer në një aset për vendin tonë.

Rasti i dy nxënësve, Jamarbër Rushitaj dhe Marius Gjika, të cilët u vlerësuan me medalje në Olimpiadën Europiane të Matematikës në Lituani, është një shembull i qartë i potencialit që ekziston, bashkë me raste të tjera që dëshmojnë se çfarë vjen pasi një nxënës afirmohet si më i miri në një fushë.

Loris Qosja, 14 vjeç, këtë vit ka dalë i pari në Olimpiadën ndërkombëtare të Matematikës por para e pas, mbështetja për të kanë qenë vetëm familjarët dhe mësuesja e tij.

Për dy vite, mësuesja e tij ka punuar me të pa asnjë shpërblim financiar, vetëm për ta përgatitur për gara ndërkombëtare. Kur iu dha mundësia të marrë pjesë në olimpiadë në SHBA, familja e tij u përball me një faturë prej rreth 8 mijë eurosh, një shumë e papërballueshme.

Pas mundimesh, mbështetja erdhi një pjesë e vogël nga bashkia, një tjetër nga vetë mësuesja dhe pjesa më e madhe nga familjarët.

Ky rast nxjerr në pah një problem të thellë. Edhe pse 14-vjeçari kishte vite që merrte pjesë në olimpiada të ndryshme, që njihen nga institucionet si dhe ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga vetë Ministria e Arsimit, ai ishte i panjohur për ministren e Arsimit deri në momentin që komuniteti i krijoi mundësinë që ta njohë gjithë bota.

Dhe ndihma që vjen më pas është qesharake, në krahasim me potencialin që ka një nxënës si Qosja.

Pasi ministria i kërkoi nxënësit nga Cërriku që ta takonte në zyrën e saj në Tiranë, (sepse duheshin bërë fotografi dhe fjalime), atij ju premtua vetëm se ministria do mundohej ti siguronte një pedagog të shkencave për ta ndihmuar më tej me përgatitjen.

Evans Drishti, ekspert arsimi dhe mësues që prej vitesh merret me organizimin e olimpiadave tregon për Gazetasi.al realitetin e trishtë.

“Në këto faza ku ka ardhur, shteti, institucionet shtetërore, ministria e arsimit duhet të ofrojnë në radhë të parë mbështetje ekonomike, bursa për këtë nxënës dhe gjithçka të jetë në vazhdimësi”, thotë ai, duke shtuar se në vendin tonë nuk ka asnjë ligj që kërkon që ministria të mbulojë shpenzimet e një nxënësi që ka fituar në olimpiadë.

Evans Drishti, ekspert arsimi. Gazeta Si, maj, 2026.

“Ministria nuk ofron asgjë pasi evidentohet një talent”, thotë ai, duke shpjeguar se sistemi aktual i olimpiadave në Shqipëri funksionon në disa faza, shkollë, qark dhe nivel kombëtar, por në asnjë prej tyre nuk parashikohet mbështetje financiare për fituesit.

I vetmi shpërblim janë “certifikatat e pjesëmarrjes” e në raste të rralla, ka dhurata simbolike që për ironi, nuk janë shpenzim i ministrisë por i donatorëve privat.

“Në asnjë rast nuk janë ofruar dhe nuk ofrohen mbështetje financiare për nxënësit pjesëmarrës apo edhe për fituesit e ndryshëm.”

Bëjnë dallim nxënësit e shkollave jopublike, të cilët mbështeten nga institucionet e tyre arsimore si për transportet, për ushqimet, dhurata simbolike ashtu edhe për bursa të ndryshme.

Një tjetër shembull është ai i një fituesi të olimpiadës kombëtare në TIK, i cili edhe pas katër vitesh vijon studimet me shpenzimet e veta, pa asnjë mbështetje nga shteti.

Drishti thotë se jashtë vendit, nxënësve u ofrohen mbështetje financiare, bursa të ndryshme madje shkojnë i marrin në shtëpitë e tyre pa patur nevojë asnjë familjar të shqetësohet. Gjithashtu u financohet shkolla për të gjitha fazat në vijimësi”.

Nxënësi 14-vjeçar Loris Qose dëshiron që të marrë pjesë dhe në Olimpiada të tjera por këtë nuk e bën dot nëse nuk ka një mbështetje nga institucionet.

“Synoj që studimet e ardhshme ti kryej në SHBA”, tha Loris në një deklaratë për mediat disa ditë pasi u zgjodh si më i miri në matematikë.

Shqipëria rrezikon të humbasë një nga asetet e saj më të çmuara- mendjet e reja. Pa një politikë të qartë dhe mbështetje nga institucionet, talenti nuk mjafton për të ndërtuar të ardhmen- ai thjesht mbijeton, ose në rastin më të keq, largohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë