Media Galeri

Nüshu, gjuha që flitet vetëm nga femrat

Provinca jug-lindore Hunan në Kinë është një vend i vogël ku 80% e saj mbulohet nga malet duke lënë shumë fshatra të izoluara nëpër kodra dhe për këtë arsye janë zhvilluar të pavarur nga njëri-tjetri.

Hunan

Këtu lindi “Nüshu”, i vetmi sistem shkrimi në botë i krijuar dhe i përdorur ekskluzivisht nga femrat.

Do të thotë "skenari i grave" në kinezçe dhe u bë e njohur në shekullin e 19-të në Puwei, një fshat i vogël i Hunanit për tu dhënë grave që jetojnë aty një liri të shprehjes, gjë që mungon në shumë vende akoma.

Disa ekspertë besojnë se gjuha vetëm për femra daton që në dinastinë Song (960-1279) apo edhe në Dinastinë Shang më shumë se 3000 vjet më parë. Kjo gjuhë u transmetua nga nënat tek vajzat e tyre dhe praktikohej midis motrave dhe mikeshave gjatë kohës kur grave ju mohoheshin mundësitë për tu arsimuar.

Shumë nga këto gra ishin analfabete dhe për të mësuar Nüshu, ata thjesht praktikonin kopjimin e tij siç e shihnin dhe me kalimin e kohës Nüshu, u bë një kulturë që ekziston dhe sot.

Shkrimi

E veçanta është se edhe pse është përdorur para shumë shekujsh, kjo gjuhë u mësua nga bota vetëm në vitet 1980 dhe nuk flitet që kur para 16 vitesh ndërroi jetë folësja e fundit i këtij kodi por tani si duket po përjeton një rilindje në fshatin e vogël Puwei.

Sipas banores të Puwei, Xin Hu, Nüshu, diku flitej gjerësisht në 18 fshatrat afër Puwei-t.

Pasi ekspertët gjetën tre shkrimtarë të Nüshu-t në fshatin 200-vjeçar në vitet 1980, Puwei u bë pika qendrore për kërkimet e Nüshu. Në vitin 2006, kjo gjuhë u rendit si një Trashëgimi Kulturore Kombëtare nga Këshilli Shtetëror i Kinës dhe një vit më vonë, një muze u ndërtua në Puwei, ku Xin filloi të punonte si një nga shtatë interpretueset ose "trashëgimtaret" e gjuhës.

Gra duke bërë mësim

Nüshu ishte një mënyrë që gratë përdorën për të ruajtur marrëdhëniet e mira mes njëra-tjetrën dhe një mënyrë për të kaluar kohë duke e mësuar, qëndisur nëpër shami dhe bënë këngë për raste të ndryshme si ditëlindje, dasma e gëzime të tilla.

Megjithëse Nüshu tani kuptohet si një mjet komunikimi për gratë që nuk u ishin dhënë privilegjet e leximit dhe të shkruarit në Kinezçe, fillimisht besohej se ishte një kod që sfidonte shoqërinë tepër patriarkale të kohës. Historikisht, nuk ishte e pranueshme nga shoqëria që gratë kineze të flisnin hapur për keqardhjet personale, vështirësitë e jetës bujqësore ose ndjenjat e trishtimit dhe pikëllimit. Nüshu ju dha atyre mundësinë të krijonin një lidhje miqësie dhe mbështetje ndaj njëra-tjetrën, gjë që kishte shumë rëndësi në një shoqëri të mbizotëruar nga meshkujt.

Gratë që krijuan këtë lidhje të fortë ishin të njohura si "motra të betuara" dhe ishin një grup prej tre ose katër grave të reja të cilat premtonin miqësi duke shkruar letra dhe duke kënduar këngë në Nüshu, me njëra-tjetrën. Ndërsa ishin të detyruara të qëndronin të nënshtruara ndaj meshkujve në familjet e tyre, motrat e betuara do të gjenin ngushëllim në shoqërinë e njëra-tjetrës.

Në vitin 2000, një shkollë “Nüshu” u hap në Puwei dhe Xin vendosi të regjistronte nënën dhe motrën atje për të studiuar. Ajo tani jep mësim  për Nüshu-n, udhëzon vizitorët nëpër muze dhe është bërë fytyra e gjuhës duke filluar udhëtime publicitare nëpër Azi dhe Europë.

"Njerëzve u pëlqen sepse ata mendojnë se kjo kulturë është shumë unike dhe duan të mësojnë dhe ta kuptojnë atë.” thotë Xin.

Por pse skenari filloi dhe lulëzoi në këtë pjesë të largët të Kinës mbetet një mister.

Studiuesi Zhou Shuoyi

Sot, shumë nga ato që dihet për Nüshu-n janë për shkak të punës së studiuesit Zhou Shuoyi, i cili dëgjoi për këtë gjuhë në vitet 1950 pasi tezja e tij u martua me një burrë që jetonte në një fshat ku flitej Nüshu. Zhou filloi të hulumtojë gjuhën e koduar në 1954 dhe në atë kohë hasi shumë probleme por në 2003, një vit para vdekjes së tij ai botoi fjalorin e parë “Nüshu”, duke ndihmuar në promovimin e rëndësisë së tij në të gjithë botën. Sot, Zhou mbetet i vetmi mashkull që ka zotëruar ndonjëherë gjuhën vetëm për femra.

Muzeu i Nushu.

Muzeu ka salla ekspozite dhe kohët e fundit bën edhe festivale vjetore që përmbajnë poezi dhe këngë të interpretuara në “Nüshu”.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë