Lajme

Nuk ndalet protesta, banorët e Unazës së Re bllokojnë rrugën

Banorët e Unazës së Re kanë hyrë në ditën e 15-të të protestës së tyre për prishjen e banesave dhe bizneseve në zonën e Astirit. Ata janë grumbulluar përsëri në rrethrrotullimin e ish-shqiponjës, duke bllokuar rrugën, çka ka sjellë kaos në qarkullimin e makinave.

Këta banorë janë ngritur në protesta dhe kërkojnë një përgjigje zyrtare për dëmshpërblim me vlerën e tregut. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtën e tyre, ndërkohë që të hënën pritet të nisë prishja e banesave.

Banorët e zonës së Astirit akuzojnë se nuk ka transparencë nga bashkia dhe nga qeveria në këtë çështje, kështu që janë të vendosur për ta vazhduar protestën në rrugë. Madje, ata kanë pohuar se do t’i mbrojnë banesat e tyre me jetë.  

Protesta e këtyre banorëve ka sjellë thuajse çdo ditë probleme me qarkullimin e automjeteve, duke qenë se ata bllokojnë rrugën në një nyje të rëndësishme të qarkullimit të makinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë