Futboll

Nuk lejohen mbi 1000 persona bashkë, Zvicra pezullon kampionatin

Koronavirusi bllokon edhe Zvicrën. Pas anulimit të “Sallonit të Gjenevës”, që duhej të zhvillohej nga data 5 deri më 15 mars, vjen edhe vendimi zyrtar i Federatës Zvicerane të Futbollit për pezullimin e të gjitha ndeshjeve të “Super League”, që është niveli elitar i futbollit në këtë vend, si dhe të “Challenge League”, që korrespondon me Kategorinë e Parë në vendin tonë.

Autoritetet zvicerane kanë ndaluar organizimin e eventeve me më shumë se 1000 persona të paktën deri më 15 mars. Për momentin nuk ka një datë për luajtjen e ndeshjeve që do të shtyhen, ndërkohë që po diskutohet edhe mundësia e zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura për javët në vazhdim të kampionatit, siç ka ndodhur në Itali, në zonat e prekura nga koronavirusi.

Njoftimi zyrtar i Federatës Zvicerane për pezullimin e kampionatit. Gazeta Si, 28 shkurt 2020

Në Zvicër janë regjistruar zyrtarisht deri tani 8 raste të personave të prekur nga koronavirusi. Taulant Xhaka dhe Ermir Lenjani, dy nga lojtarët e Kombëtares që luajnë në Zvicër, përkatësisht me Bazelin dhe Sionin, do të bëjnë pushim të detyruar paktën dy javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë