Lajme

Nuk ka prova, lirohet ish-shefi i policisë i akuzuar për përdhunim

Izmir Duraku, shefi i stacionit policor të Fushë-Arrëzit, i arrestuar me bujë pas denoncimit publik të një 27-vjeçareje që e akuzonte se në 2015 e kishte përdhunuar lihet i lirë. Duraku është liruar, pasi prokuroria ka dalë në përfundimin se nuk ka prova që të vërtetojnë pretendimet e akuzueses.

27-vjeçarja dëshmoi publikisht se në 2015 ishte paraqitur në Komisariatin e Shkodrës për të denoncuar përdhunimin nga një grup personash, punonjës së Shtëpisë së Jetimëve në këtë qytet. Në atë kohë, Duraku ishte me detyrë specialist i hetimit të krimeve.

Por, në vend që ta merrte në mbrojtje, sipas dëshmisë së gruas, ai e ka përdhunuar brenda ambienteve të komisariatit.

Pas kësaj dëshmie në lëvizje është vënë edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Sipas SHÇBA, bazuar në provat e mbledhura kishte dyshime të forta se në muajin prill 2015, 27-vjeçarja është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në këtë qytet.

Duraku madje u përjashtua nga vetë Policia e Shtetit me urdhër të Ardi Veliut si dhe ministri i brendshëm Sandër Lleshaj e dënoi rëndë këtë akt pas këtij arrestimi por Prokuroria tashmë vërteton krejt të kundërtën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë