Lajme

Nuk ka konsensus, bie votimi elektronik dhe vota e emigrantëve

Maxhoranca dhe opozita janë larg konsensusit për reformën zgjedhore, duke bërë që projektet për votimin elektronik dhe votën emigrantëve të mbesin thjesht një ide dhe jo si zbatim konkret.

Drafti i publikuar së fundmi nga ana e PS-së nuk parashikon as votimin elektronik dhe votën e emigrantëve, që duhej të kishin edhe afate për realizimin e tyre. Fillimisht duhet të parashikohen si projekte pilot, siç është ajo e votimin elektronik, duke u zbatuar në zgjedhjet lokale.

Po në draftin e socialistëve që pritet të bëhet publik të hënën për partitë politike nuk parashikohet asnjë prej këtyre metodave të mësipërme.

I gjithë dokumenti fokusohet vetëm te rekomandimet e paraqitura nga ana e OSBE-së dhe të ODHIR-it të dhëna në raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Fokusi kryesor i këtij raport ka të bëjë me parandalimin e blerjes së votës, depolitizimin e komisioneve zgjedhore të vendeve të dyta dhe të treta, si dhe reklamat e institucioneve dhe enteve shtetërore gjatë fushatës elektorale.

Depolitizimi i komisioneve dhe më pak anëtarë

Ndryshimi më i “bujshëm” është ai i depolitizimit të Komisionit Zonës së Administrimit Zgjedhor, si dhe ulja e numrit të tyre nga 7 në 3 anëtarë. Pra në këto zgjedhje lokale propozohet që anëtari i KZAZ të mos jenë përfaqësues të partive politike, por të përzgjedhur dhe të trajnuar nga ana e KQZ-së. Ato përzgjidhen me short nga ana e kupolës së KQZ-së.

1. KZAZ-ja përbëhet nga 3 anëtarë dhe sekretari joanëtar, të cilët përzgjidhen nga KZQ-ja me short të hedhur mes shtetasve me të drejtë vote që kanë përfunduar me sukses kurset e trajnimit të KQZ-së dhe janë certifikuar prej saj si administrator zgjedhorë. Nga shorti përjashtohen personat ndaj të cilëve janë vendosur masa disiplinore për marrëdhënien e tyre si administratorë zgjedhorë. Në aktin e emërimit KQZ-ja përcakton administratorin zgjedhor me moshën më të vjetër si kryetar të KZAZ-së dhe atë që vjen menjëherë pas tij në moshë në detyrën e zëvendëskryetarit të KZAZ-së. 2. Sekretari i KZAZ-së zgjidhet nga radhët e personave që plotësojnë kushtet e pikës 1 të këtij neni dhe që ka formimin jurist. 3. Procedurat, kriteret dhe modalitetet e hedhjes së shortit sipas këtij neni përcaktohen me akt normativ të KQZ-së”, thuhet në amendamentin e paraqitur.

Gjithashtu përcaktohet  anëtarët e KZAZ-së dhe sekretari nuk janë të punësuar me kohë të plotë. KQZ-ja përcakton orarin e punës së KZAZ-së gjatë periudhës zgjedhore dhe jashtë saj. Për punën e kryer anëtari dhe sekretari i KZAZ-së përfitojnë shpërblim në masën e caktuar me vendim të KQZ-së.

Gjithashtu ulje të numrit do të ketë edhe për Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) dhe Grupet e Numërimit të Votave. KQV nga 7 anëtarë do të bëhet me tre anëtarë. Ndërsa GNV ka katër anëtarë do të ketë dy anëtarë. Kjo do të sjell edhe reduktim të numrit të komisionerëve, si dhe njëherësh do të ulë edhe koston e shpenzimeve. Nga rreth 39 mijë persona që ishte armata në zgjedhje numri i tyre do të përgjysmohet dhe mbi të gjithë nuk do të jetë përfaqësues të partive politike.

Gjithsesi këto ndryshime që të kalojnë duhet të marrin bekimin e opozitës, e cila është shprehur mosbesuese ndaj depolitizimit të këtyre strukturave të komisioneve nga frika e blerjes së anëtarëve që tashmë do të jenë apolitikë.

Blerja e votave dhe kandidatet gra

Në amendimet e paraqitura parashikohet që të mos ketë financime gjatë fushatës elektorale,  reklama për televizionet tre muaj përpara zgjedhjeve. Një nen i veçantë është parashikuar për parandalimin e blerjes së votave. Kryetarët e partive duhet të paraqesin një deklaratë me shkrim ku zotohen për mos blerjen e votave në zgjedhje. Deklarata me shkrim e nënshkruar nga Kryetari i partisë politike përmendet angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme,  veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i Deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së.

Për të shmangur fenomenin e Lezhës me PS-në dhe Beratit me PD-në, ku kandidatet gra në lista hiqnin dorë nga mandati për t’ia kaluar meshkujve, socialistët  propozojnë që mandati t’i kalojë kandidatit me të njëjtën gjini në listat e partisë aleate, me herësin më të lartë. Në rast se partia politike ka garuar e vetme dhe vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar, atëherë partia ndëshkohet nga KQZ me gjobë 2 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë