Komisioni i Apelit në FSHF ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës për Shkumbinin. Ekipi peqinas është prjashtuar nga çdo aktivitet dhe është zbritur në Kategorinë e Dytë, pas ngjarjeve të dhunës ndaj arbitrit në ndeshjen me Dinamon disa ditë më parë. Ky vendim u apelua nga drejtuesit e Shkumbinit, të cilët shpresonin të paktën në një zbutje të dënimit, por asgjë nuk ka ndryshuar.
Gjatë dhe pas ndeshjes Shkumbini-Dinamo, ka pasur dhunë. Ajo kulmoi me futjen e tifozëve në fushë sapo përfundoi ndeshja, kur ata iu vërsulën arbitrit kryesor Sokol Bebja, pasi gjykonin se u kishte ngrënë hakun. Për atë ngjarje, klubi peqinas u dënua edhe me një gjobë prej një milion lekësh, ndërsa futbollisti Andi Bakiasi është dënuar përjetësisht. Komisioni i Disiplinës u bazua në raportimin e delegatit të asaj ndeshjeje, Millan Baçi. Nga klubi peqinas është pretenduar se ngjarja është ekzagjeruar dhe se ishte vetëm një adoleshent që tentoi të godiste gjyqtarin, ndaj nuk mund të ketë një dënim kolektiv.
Apeli nuk ka ndryshuar gjë dhe klubit të Shkumbinit i mbetet vetëm një mundësi, KAS-i në Lozanë, ku mund të bëjë ankimim për të kërkuar atë që pretendon. Kategoria e Parë që e zhvillon aktivitetin e ndarë në dy grupe, A dhe B, mbetet kështu me 19 skuadra. Në Gupin A, çdo javë një ekip duhet të bëjë pushim, ai që duhet të ndeshej me Shkumbinin sipas kalendarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.