Politike

“Nuk jam manekin i RABAVE”, Malaj i bashkohet partisë së Dukës

Ish-ministri i Financave në qeverisjen e socialistëve, Arben Malaj duket se ka vendosur t’i japë lamtumirën përfundimisht Partisë Socialiste, pasi tani i është bashkuar një partie në opozitë, Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës. Bashkimi me këtë parti që në koalicion me Partinë Demokratike erdhi menjëherë pasi socialistët vendosën që ta shkarkonin Malajn si anëtar të Këshillit të Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vetë ish-deputeti socialist e ka njoftuar këtë lëvizje të fortë politike, pasi një majtë i “thekur” i bashkohet opozitës së djathtë. “Një angazhim konkret me Partinë Agrare Ambientaliste. E mirëprita ftesën e kolegut të nderuar Agron Duka për të kontribuar si këshilltar strategjik për platformën dhe organizimin e PAA për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Këshillimi i kësaj partie të qendrës së majtë, me strategji të suksesshme, më krijon mundësi reale për të dhënë kontribute pozitive për ta rritur fuqinë elektorale të PAA dhe për ta ofruar PAA në çdo aspekt të vlerave dhe misionit të saj politik me të gjelbërit europian, të cilët vlerësohen sot si grupimi politik me progresistë dhe me influencë të rritur në qeverisjen vendore dhe kombëtare në shume vende të BE-së, por edhe në institucionet e saj politike”, shkruan Malaj në rrjetet sociale.

Malaj duke pozuar me kreun e PAA-së dhe me anëtarët e drejtuesit e kësaj partie


Në një reagim të dytë, Malaj nuk e cilëson këtë lëvizje si një “tradhti” ndaj socialistëve, pasi ai shton se mbetet i tillë dhe nuk ngurron të sulmojë Ramën, Ballën dhe Veliajn. “Mirënjohja ime ndaj socialistëve të thjeshtë do të jetë e përhershme dhe e pakushtëzuar. Por në asnjë rast dhe për asnjë karrige, nuk kam pranuar të jem një manekin në dorë të RaBaVe-llave që i keqpërdoren socialistet e thjeshtë për pushtete abuzive, arrogante dhe të babëzitura. Paralajmërimet e mia publike që prej 2009 thellësisht profesionale për këta të pangopur me pushtet negativ i gjeni sot në realitetin e dhimbshëm shqiptare dhe në përkeqësimin e Shqipërisë në çdo indeks ndërkombëtarë. Heshtja do të më bënte bashkëfajtorë përball vendit tim edhe përballë socialistëve të thjeshtë “, shprehet më tej Malaj.
Pas vitit 1997, Arben Malaj ishte figura qendrore e PS-së me ardhjen në pushtet. Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano e caktoi Malajn në postin e ministrin e Financave, në një periudhë krize të thellë ekonomike, ku Shqipëria u trondit nga skemat piramidale. Malaj ishte një përkrahës i Nanos, në të gjitha qëndrimet që kryesocialisti do të mbante si në përplasjet me Metën dhe më pas në atë me Ramën. Ndarja në dy fraksione në PS në pro dhe kundër Nanos, bëri në këtë betejë Malaj të pranonte në KPD-në e PS-së që të kandidonte përballë Metës për postin e kryeministrit në vitin 2001. Zgjedhja e Ramës në postin e kryesocialistit do të sillte edhe përplasjet e Malajt. Së bashku me një grup deputetësh ai u bë pjesë e Lëvizjes e Mendimit Ndryshe në PS, por që kjo lëvizje u shua nga Rama, i cili eliminoi politikisht të gjithë kundërshtarët, duke mos i futur në listat për kandidatë për deputetë. Malaj, edhe pse kishte mbështetjen e Nanos, kandidoi si i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 2009 në Vlorë, por nuk fitoi. Ndërsa me caktimin e tij në Bankën e Shqipërisë u duk si një riafrim në PS, por qëndrimet e tij bënë që socialistët të vendosin përjashtimin nga ky institucion. Në dhjetor të vitit të kaluar, pas propozimit të qeverisë, pro shkarkimit të tij votuan 72 deputetë, 10 ishin kundër, 6 abstenuan, dhe 12 nuk votuan fare.
Malaj përfshihet kështu në një sfidë të re politike, me sa duket edhe në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme te PAA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë